E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milito vendos derbin e Milanos, Inter tashme eshte per titull

TIRANE-Ka perfunduar 0 me 1 ne favor te Interit derbi i mbremshem ne San Siro.
Argjentinasi Diego Milito ka përcaktuar fatin e derbit të Milanos, luajtur nën një dominim të kuqezinjve të Alegrit, por të fituar nga zikaltrit e Ranierit, që janë shfaqur më pragmatistë. Minuta e 54-t e ndeshjes ka qenë fatale për kuqezinjtë, sepse një gabim i Abates në prapavijë është shfrytëzuar me zgjuarsi nga Milito, që e dërgon topin në këndin e poshtëm të portierit të Milanit, në shtyllë dhe prej andej në rrjetë. Moment shokues për të besuarit e Alegrit, që kishin lojën dhe terrenin nën kontroll, kishin krijuar disa raste për shënim, por nuk ia kishin dalë dot, sa për meritë të mbrojtjes së pathyeshme të Interit, me në krye dyshen e pakalueshme Lusio-Samuel, po aq për mefshtësi të Patos, që është hedhur në fushë nga fillimi, duke fituar balotazhin me Robinjon. Dukej qartë se Interi e priste Milanin, me synimin për ta kundërsulmuar dhe shfrytëzuar aftësitë e spikatura në këtë drejtim të dy sulmuesve të vet, Pacini dhe Milito. Zikaltrit kanë vështirësi të madhe në mesfushë, aty ku bëhet edhe diferenca, falë një Van Bomeli në një ditë të shkëlqyer. Milani bën gjithcka mirë, në tërësi, është padron i terrenit të blertë të “San Siros”, por nuk gjen atë më të rëndësishmin në futboll, golin. Dhe, në këtë pikë, duhet një lojtar nuhatës si Milito, që të lërë vulën e tij në derbi, të shënojë atë gol të vetëm të sfidës, që i dërgon 3 pikët në llogarinë e skuadrës së tij, duke e futur atë tashmë në luftën për titull. Për t’u vlerësuar ndërrimet e bëra nga trajneri zikaltër, sidomos futja në fushë e mbrojtësit rumun Kristian Civu, që u bë përcaktues në neutralizimin e manovrës sulmuese të krahut të djathtë për Milanin. Aty ku Boateng e kishte vënë në shumë vështirësi Nogatomon. Milani e spostoi lojën thuajse në gjysmëfushën e zikaltërve, pas pësimit të golit, djersiti shumë për të barazuar, por gjeti përballë një prapavijë solide, të përforcuar më shumë me lojtarë tashmë, të Interit, që mbrojti me fanatizëm epërsinë e minutës së 54-t. Në fund, të lumtur kanë dalë të besuarit e Ranierit, që rikuperojnë ndeshje pas ndeshjeje hapat e gabuar të fillimit të kampionatit, aq sa e shohin veten në luftë për titull, ndërsa Milani ul kokën, detyrohet t’ia hapu krahun Juventusit, në krye, me një pikë më shumë. Tashmë beteja për titull në Itali nuk ka më vetëm dy skuadra, Juventus dhe Milan, por edhe Interin. Që me performancën e disa javëve, kërcënon seriozisht. Derbi i fituar prej tij ishte prova më e mirë se zikaltrit janë kthyer, ia kanë vënë syrin “scudetos”.

Trajneri i Interit, Klaudio Ranieri, është shprehur shumë i lumtur me fitoren e ekipit të tij në ndeshjen derbi kundër Milanit. “Ne jemi duke e bërë punën tonë në mënyrë shumë të mirë. Ishte e rëndësishme fitorja kundër Milanit sepse ishte më e mira në këtë sezon. Jemi duke luajtur mirë dhe jemi të fokusuar shumë për momentin. Ne jemi duke u ngritur pas një starti të dobët. Fillimisht, apo të themi për momentin, synimi ynë është të sigurojmë një vend për në Ligën e Kampionëve”, – ishin fjalët e Ranierit pas takimit.

Sulmuesi i Interit, autori i golit që vendosi fatin e derbit të Milanos, Diego Milito, është shprehur shumë i lumtur për fitoren e ekipit të tij ndaj Milanit. “Unë jam shumë i lumtur. Ne kemi pasur një ndeshje shumë të mirë kundër një kundërshtari të shkëlqyer. Ishim shumë të koncentruar. Për ne ishte një test shumë i rëndësishëm, sidomos për moralin. Është fantastike të shënosh dhe të vendosësh për fitoren në një derbi, sidomos për tifozët zikaltër, të cilët kanë qenë çdo herë afër nesh. Jemi të lumtur për këtë fitore”, – ishin fjalët e Militos pas takimit.

Nga ana e tij, trajneri i Milanit, Masimiliano Allegri, ka thënë se ekipi i tij tentoi dhe luajti mjaft mirë në këtë takim, ndërsa kundërshtari u mbrojtën me 10 lojtarë, kështu që të tijtë nuk kishin shumë hapësira për të shënuar. “Unë mendoj se humbja nuk ndryshoi shumë gjëra në klasifikim, pasi Juventusi ka marë vetëm një pikë sot. E vetmja gjë që ka ndryshuar sot është se Interi i është rikthyer garës për titull. Ne kemi pasur një dominim në lojë. Ishim duke u përpjekur për të shënuar, teksa ata mbroheshin me 10 lojtarë. Sidoqoftë, ne do të luftojmë deri në fund për titullin e Seria A, pasi jemi vetëm një pikë larg vendit të parë. Java ishte shumë e zënë dhe neve na është dashur fitorja në këtë takim, sidoqoftë nuk kanë ndryshuar shumë gjëra edhe me këtë humbje”, – ishin fjalët e Allegrit pas takimit.

Statistikat
Milan-Inter
64 % posedimi i topit 36%
12 goditjet 9
7 goditjet në portë 5
10 korner 2
2 pozicione jashtë loje 1
3 kartonat e verdhë 1

(d.b/Panoramasport/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›