E Diel, 1 Nëntor 2026

Milkani pranon: Vetëm me firmën e Ferrit në “Oscar”



Në pamundësi për të parë letrën reale se si filmi i Pirro Milkani u përzgjodh për të shkuar në konkurrimin për “Oscar”, në seksionin e gjuhëve të huaja, dje është pranuar se filmi ka shkuar në Amerikë vetëm me firmën e Ferrit. Këtë e ka pohuar regjisori i “Trishtimit të zonjës Shnajder”, duke na ripërsëritur se filmi i tij ishte i vetmi që përmbushte kriteret për të aplikuar në Akademinë e çmimit “Oscar”. Ndërsa drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike, i ndodhur këto ditë në Itali, është justifikuar se për shkak të kohës u detyruan të shkurtonin procedurat, që nënkuptonin gjithë të drejtën e tij ligjore për të firmosur letrën që është kërkuar prej ditësh nëpër zyrat e ministrit të Kulturës dhe të QKK-së. Letra, të paktën origjinali, se kopja sërish mbahet sekret, mban vetëm firmën e drejtorit të QKK-së, ku janë shënuar edhe emrat e anëtarëve të bordit, për të cilët Ferri ka pohuar se në emrat e tyre nuk ka firma. Ky është manipulimi i Ferrit, për të cilën kanë të drejtë anëtarët e bordit të kërkojnë llogari dhe të reagojnë, në të kundërt i bie të jetë një kompromis mes tyre. Ndërsa drejtori i QKK-së ka thënë se nuk i takon atij certifikimi përfundimtar për përzgjedhjen e filmit, por ministrit të Kulturës, i cili duhej të ngrinte një komision të posaçëm. Por, siç duket nga procedurat e shkurtuara, Ferri ka dashur të tregojë vetëm emrin e tij dhe ministri ka dashur të largojë gjithë përgjegjësinë, kur është shprehur se firma përfundimtare nuk është kompetencë e tij. Tani, regjisori Milkani, duket më i çliruar nga detyrimet e titullarëve dhe egos së tyre për firmë, duke treguar thjesht se tek ai kishte një ambicie - ta çonte filmin për konkurrimin në “Oscar”, kur regjisori Spartak Pecani një nga emrat e përfolur, është tërhequr me dëshirë nga aplikimi, ndërsa regjisori më “agresiv”, Fatmir Koçi, nuk ka kapur afatin e kohës së premierës. Kështu që i vetmi film i bërë gati për t’u nominuar nga QKK, për të aplikuar në Akademinë e Çmimeve “Oscar” kishte mbetur filmi i Milkanit. Kështu i takon Xhevdet Ferrit kur të kthehet nga Italia të tregojë pse e shmangu bordin nga selektimi dhe historinë e letrës së zhdukur, po ashtu dhe përplasjen e kreun e kulturës?!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›