E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha prezanton reformat shqiptare në Forumin Ekonomik Botëror



“Shqipëria, në përputhje me standardet e BE-së”

“Jemi ndër vendet e suksesshme në luftën antikorrupsion”

Shqipëria është e ndërgjegjshme se procesi i integrimit në NATO dhe BE ka vështirësitë e veta, por Kryeministri Sali Berisha kërkon nga faktori ndërkombëtar që të vlerësohet performanca dhe ritmi me të cilin përparon çdo vend. Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Stamboll, Kryeministri Berisha mori pjesë dje në panelin kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku prezantoi reformat ekonomike dhe financiare të qeverisë së tij, falë të cilave sipas Kryeministrit, “Shqipëria është bërë tashmë një vend shumë tërheqës për investitorët e huaj”. Duke folur për angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të përmbushjes së standardeve të BE-së, ai vuri në dukje se qeveria shqiptare ka firmosur me BE-në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe se ajo po ecën në përputhje të plotë me standardet e BE-së. Berisha theksoi se “reformat që ne zbatojmë marrin shkak pikërisht nga projekti për anëtarësim në BE. Ne, - shtoi ai, - ushqehemi shpirtërisht nga NATO-ja dhe BE-ja. Kjo është ajo që duhet të ndodhë, të frymëzohen shtetet dhe të nxiten drejt rrugës së zhvillimit dhe integrimit”, - u shpreh Kryeministri Berisha. “Në këtë proces, - vijoi Berisha, - vështirësitë janë të pashmangshme dhe duhet të vlerësohet performanca dhe ritmi me të cilin përparon çdo vend. Duke e parë nga pikëvështrimi im dhe i vendit tim, çështja e zgjerimit, në aspektin e sistemit financiar dhe atë bankar, është e gjitha çështje e bankave më të mëdha vendeve të BE-së. Në këto javë dhe muaj, unë vura re dhe isha i lumtur që liderët evropianë u bashkuan dhe reaguan të gjithë në një pikë të përbashkët. Edhe pse ne nuk jemi pjesë e BE-së, ne tashmë jemi totalisht pjesë e të gjithë sistemit financiar të BE-së. Në Shqipëri, nuk ka më banka shqiptare, janë të gjitha banka të vendeve të BE-së dhe një edhe turke”, - tha z. Berisha. Kryeministri shqiptar e konsideroi anëtarësimin në BE një forcë shtytëse për zhvillimin e të gjithë rajonit të Ballkanit. Ai bëri prezent faktin se në të shkuarën Ballkani ka qenë një zonë me probleme dhe në këtë kontekst, anëtarësimi në BE është një forcë shtytëse për zhvillimin e rajonit. Ky, sipas tij, është një proces shumë i dobishëm. Kryeministri Berisha e vlerësoi procesin e zgjerimit të BE-së një histori suksesi, një proces që në Shqipëri mbështetet nga 95 për qind e qytetarëve shqiptarë. “Mendoj se zgjerimi është një histori suksesi. Nuk ka evidencë që zgjerimi ka lënduar vendet e BE-së, përkundrazi, e kundërta është e vërteta. 95 për qind e shqiptarëve përkrahin integrimin në BE dhe kjo sjell konfidencë, sjell energji të reja dhe elementë pozitivë në proces”, - u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur në zhvillimet ekonomike dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, Kryeministri Berisha theksoi se që në ditët e para të saj, qeveria e drejtuar prej tij i shpalli një luftë të ashpër korrupsionit. “Shqipëria, - u shpreh Kryeministri, - ka vuajtur shumë nga korrupsioni, i cili më parë ishte kthyer në sistem”. Ai përmendi politikat e një qeverisjeje të vogël, por efikase, miratimin e ligjeve dhe vendosjen e shpërblimeve për të gjithë ata që denoncojnë akte korruptive, janë ulur ndjeshëm shpenzimet operative të administratës dhe në tre vjet, janë mbledhur 3.2 miliardë dollarë. “Duke i vlerësuar me parametrat e vendeve të BE-së, - u shpreh më tej Kryeministri, - ne kemi vendosur taksat më të ulëta në Evropë. Ndërmorëm një proces të suksesshëm të privatizimeve të mëdha, reduktuam lejet dhe licencat, po vendosim procedurat elektronike në dogana dhe tatime. Me masat e ndërmarra dhe përpjekje të mëdha e të gjithanshme, Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, duke marrë edhe vlerësime pozitive ndërkombëtare”, - deklaroi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›