E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Duhet të krijohet një federatë e majtë

Pas humbjes se zgjedhjeve të 28 qershorit nga koalicioni i majtë, Paskal Milo, kryetari i PDS-së ka rihedhur idenë e krijimit të federatës së majtë. Propozim ky që u hodh pak kohë më parë nga kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, por që nuk gjeti mbështetje te partitë e tjera të majta dhe konkretisht te PS-ja. Gjatë një konference për shtyp, dje kryetari i PDS-së, Paskal Milo, theksoi se krijimi i konfederatës së majtë është e vetmja zgjidhje e opozitës në këto momente. Milo tha se "është e rëndësishme riformatimi i së majtës shqiptare në formën e një federate funksionale, me një demokraci të brendshme jo formale, po efikase me një drejtim, i cili do të konturohet mbi bazën e përvojës europiane ku të kombinohet autonomia e partive anëtare të kësaj federate me një drejtim kolegjial, i cili do t‘i japë së majtës shqiptare një unitet të domosdoshëm jo vetëm për të funksionuar, po dhe për të përballuar sfidat e mëdha politike, elektorale që ka përpara Shqipëria dhe shqiptarët". Më pas kreu i PDS-së është rikthyer sërish te data 28 qershor ku e majta nuk mundi të marrë numrin e duhur të mandateve për deputet për të krijuar qeverinë. Ai deklaroi se tashmë shansi i së majtës për të marrë pushtetin është humbur, ndaj, theksoi ai, është momenti për bërë analizën e kësaj humbjeje. Lidhur me dorëheqjen e kryetarit të PS-së, Edi Rama, kreu i PDS-së Milo nuk ka dashur të bëjë shumë koment, duke deklaruar se "kjo është një çështje që i takon PS-së dhe strukturave drejtuese të saj dhe jo partive të tjera". Kreu i PDS-së, Paskal Milo, deklaroi se qeveria e re që pritet të krijohet nga bashkëpunimi Meta-Berisha nuk do të funksionojë. Për Milon kjo është një qeveri e krijuar në bazë të pazareve të pista ndaj nuk do të ketë të ardhme. Kreu i PDS-së është ndër të parët që ka kritikuar bashkëqeverisjen e Metës me Berishën, gjithashtu ai ka shprehur pakënaqësitë e tij edhe për PS-në lidhur me Kodin e ri Zgjedhor. Milo kërkoi që të ndryshohet Kodi Zgjedhor, sepse është i padrejtë dhe ndëshkon partitë e vogla të cilat nuk kanë komisionerë në grupet e numërimit ashtu siç ndodhi në zgjedhjet e 28 qershorit ku PD-ja dhe PS-ja, sipas tij, i fshehën votat e partive të vogla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›