E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule refuzon Berishën: Të krijohet qeveri teknike

Duket të krijohet një qeveri teknike me synim zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo deklaratë është bërë dje nga kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, gjatë një konference për shtyp. Sipas Dules, puna e politikës shqiptare duhet të përqendrohet në arritjen e standardeve europiane, ndaj ka theksuar ai "kërkojmë një qeveri solide, të dalë nga zgjedhje të ndershme dhe rregulla loje demokratike, rreptësisht të respektuara". Në këto kushte, shtoi ai, këtyre sfidave, vendi ynë mund t‘u përgjigjet me sukses vetëm me një qeveri teknike, me agjentë të mirëpërcaktuar në obligime dhe në kohë e cila krahas të tjerash do të garantojë edhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja të cilat do të duhen më në fund edhe në vendin tonë të zhvillohen konform atyre standardeve të cilat respektohen në të gjitha vendet e qytetëruara. Dje, kreu i PBDNJ-së gjatë konferencës për shtyp ka mohuar faktin se partia e tij mund të bëhet pjesë e kabinetit të ri qeverisës. Sipas tij, PBDNJ-ja nuk bëhet pjesë e pazareve anadollake. Dule tha se ai dhe partia e tij nuk do të bëjnë asnjë pazar me Sali Berishën dhe pranojnë të qëndrojnë në opozitë. "Këtu po diskutojmë për çështje madhore dhe ideale dhe ju po më flisni për pazare anadollake. Nuk janë në karakterin tonë. Nuk jemi shquar dhe nuk do t‘i hyjmë tani tundimit të këtij lloj pazari", tha Dule. Për kryetarin e PBDNJ-së, realizimi i reformave për integrimin e vendit në BE është shqetësimi kryesor, ndaj i ka bërë thirrje politikës shqiptare, mediave, qytetarëve edhe shoqërisë civile se duhet të ngrenë zërin e të ngrihen në këmbë për të mbrojtur demokracinë. Gjithashtu, ai ka shprehur ankesat e tij në lidhje me PS-në për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Dules, PS-ja kishte premtuar se do të mbronte votat e PBDNJ-së më 28 qershor, por kjo gjë nuk ndodhi. "Për të mësuar nëse PS-ja nuk deshi apo nuk mundi t‘i ruajë këto vota, kjo mbetet për t‘u diskutuar në ditët në vazhdim me krerët drejtues të partisë aleate", theksoi Dule. Pas konferencës për shtyp, Dule shkoi në selinë e Partisë Socialiste në një takim 45 minutësh me Edi Ramën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›