Zgjedhjet, pasojat e mosnjohjes nga PS. Ǒndodh në skenën politike
Teksa kanë kaluar 21 ditë nga data e zgjedhjeve parlamentare gjithnjë e më shumë po artikulohet ideja e mosnjohjes së rezultatit të tyre nga Partia Socialiste. Funksionarët e shumtë të saj janë shprehur hapur se nëse nuk do të rivlerësohen votat në qarqet e Beratit, Tiranës dhe Shkodrës, nuk do të njohin rezultatin. Në këndvështrimin ligjor, mosnjohja e zgjedhjeve nga një subjekt politik nuk shkakton shkelje të rregullave juridike. Pasojat e një vendimi të tillë ekstrem do të ishin më të shumta në rrafshin politik. Nëse një skenar i tillë do të ndodhë, do të sjellë si pasojë zinxhir bojkotimin e Kuvendit. Partia Socialiste duke mos njohur produktin e zgjedhjeve nuk do të legjitimojë as sallën e Parlamentit. Në një situatë të kësaj forme, të pranishëm do të ishin vetëm deputetët e Partisë Demokratike, Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Partisë Republikane dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në total këto grupime politike që përbëjnë koalicionin e ardhshëm qeverisës do të arrinin së bashku numrin prej 74 mandatesh në Kuvend. Pasoja e parë e dukshme e këtij skenari do të çonte në një valë debatesh brenda Partisë Socialiste. Kjo për faktin se jo të gjithë drejtuesit e saj dhe anëtarët e grupit të ri parlamentar do të jenë dakord me praktikën e bojkotit dhe mosnjohjes së zgjedhjeve. I pari që ka dhënë "shkëndijën" publike është anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, i cili u rreshtua i pari kundër një teze të tillë. Në qëndrimin e tij, siç duken gjasat, Blushi nuk do të jetë i vetëm brenda grupit parlamentar socialist. Situatë që do të çorientonte kampin rozë përballë vendimit politik për të mos njohur zgjedhjet. Një mazhorancë me vetëm 74 vota, do të ishte e "paralizuar" përballë nismave ligjore që kërkojnë 3/5 e votave të Kuvendit për t‘u miratuar. Numri prej 74 mandatesh në Kuvend, në mungesën e 84 mandateve që përcakton Kushtetuta do të çonte në bllokim të reformave madhore. Dy çështjet kyçe, reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore do të dështonin për shkak të mospasjes së numrave të nevojshëm për t‘u votuar. Këto përbëjnë njëkohësisht dy angazhimet publike të ndërmarra nga Lëvizja Socialiste për Integrim teksa deklaroi koalicion paszgjedhor me Partinë Demokratike. Por një skenar i tillë mund të ringjallë edhe rolin e komunitetit ndërkombëtar. Të ndodhur përballë një kolapsi të tillë, organizmat ndërkombëtarë mund të ndërhyjnë për të gjetur një zgjidhje. Një opsion mund të ishte kalimi drejt një qeverie teknike, e cila do të garantonte konsensusin për të ndryshuar Kodin Elektoral dhe për të kaluar drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Me një sistem të ri zgjedhor do të tentohej krijimi i një tjetër mazhorance të aftë për të garantuar qëndrueshmëri politike në vend. Ky mund të cilësohet edhe skenari më pozitiv për opozitën aktuale, e cila do të shmangte qëndrimin për katër vite të tjera në minorancë. Zgjidhja më e kushtueshme për Partinë Socialiste duket se do të ishte një vendim për mosnjohje zgjedhjesh dhe një rikthim në Parlament si pasojë e çarjeve të brendshme dhe presionit ndërkombëtar.