Milo: PDS, në zgjedhje me PS-në
Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos ka zyrtarizuar bashkëpunimin e saj me Partinë Socialiste, ndërsa fakti është bërë publik nga vetë kryetari i kësaj force politike gjatë një takimi me bazën në Berat. "Tashmë Demokracia Sociale ka shpallur koalicionin me Partinë Socialiste, një koalicion që me siguri do të jetë koalicioni fitues i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe këtë nuk e them për t’u bërë më optimist se ç'duhet, po këtë e jap si një mesazh të përbashkët dhe në emër të kryetarit të PS, zotit Rama, i cili më ka autorizuar para dy ditësh që t’u përcjell jo vetëm një mesazh përshëndetjeje, por edhe një mesazh bashkëpunimi që ne do të kemi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në emër të fitores së përbashkët të opozitës në Shqipëri", - tha Paskal Milo, kryetar i PDS-së. Gjatë takimit me bazën në Berat, zoti Milo deklaroi se PDS ka filluar parapërgatitjet për zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke organizuar strukturën elektorale.
Haxhinasto: Qeveria, e dështuar në procesin e kthimit të pronave
Kreu i KDK-së, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje se qeveria ka dështuar me kthimin e pronave, me ndalimin e informalitetit, madje babëzia e saj mban peng zhvillimin e vendit. "Vjedhja e tokave në bregdetin e Kavajës është skandali i radhës së kësaj qeverisjeje, i cili ka mundur të zbardhet dhe të bëhet publik. Kjo qeveri është sulur së fundmi mbi tokat publike, me synimin se tokat publike mund të vidhen lehtë se janë se janë mall pa zot. Qeveria ka dështuar me legalizimin, ka mashtruar më mijëra qytetarë në zonat informale se brenda gjashtë muajsh të qeverisjes së saj, do të riparohej ky proces", - tha ai. Më tej, Haxhinasto deklaroi se qeveria gjithashtu "ka dështuar me kthimin e pronave, ka mashtruar pronarët, pasi u ka marr votën e vitit 2005, duke krijuar më pas një xhungël legjislative, duke djegur më pas edhe fondet nga buxheti i shtetit për kompensimin e tyre. Ka dështuar gjithashtu në ndalimin e informalitetit, duke lejuar dhe dyfishimin e ndërtimeve pa leje, dhe duke shkatërruar kështu edhe fondin e tokës bujqësore, e cila është një pasuri e vyer kombëtare. Nuk ka asnjë sektorë të zhvillimit që nuk lidhet me tokën, me mundësinë për ta përdorur atë, si pjesë e rëndësishme e investimeve kapitale. Bujqësia, dega kryesore e zhvillimit të vendit ka mbetur një shekull mbrapa, sepse ekonomitë fermere nuk zgjerohen për shkak të pronësisë".