E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI, alternativë qeverisëse



Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje që nga Berati se LSI është e vetmja alternativë qeverisëse. Duke përshëndetur të gjithë të rinjtë beratas, kreu i LSI garantoi të gjithë se po vjen ora për të vendosur demokracinë dhe lirinë e munguar në këtë vend, po vjen ora e një alternative gjithëpërfshirëse dhe që i jep shpresë gjithë shqiptarëve, dhe kjo është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Rinore për Integrim. “Ndaj jam i bindur që në këto 4-5 muaj që vijnë, puna juaj do të shumëfishohet në mënyrë që në qershor të këtij viti, ne në Berat të japim shembullin sesi LSI-ja, e majta e vërtetë progresiste në Shqipëri, e majta e solidaritetit, që nuk është një slogan, por është një vlerë që ne e zhvillojmë në radhë të parë me njëri-tjetrin në këtë komunitet, të triumfojë. Të triumfojë jo vetëm në Berat, por të triumfojë në të gjithë Shqipërinë”, - tha ai. Më pas Meta, vlerësoi gjithë ato personalitete të shquara që janë bashkuar me alternativën e LSI-së dhe në veçanti rininë e Beratit dhe rininë në të gjithë Shqipërinë. “Që ne më 28 qershor të jemi pikërisht alternativa ku do të mbështeten shumica e shqiptarëve për t'i dhënë Shqipërisë demokracinë e kërkuar, për t'i dhënë shqiptarëve lirinë dhe dinjitetin që ata kërkojnë dhe për të dënuar njëherë e mirë regjimin e monopoleve që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë dhe për të luftuar me program varfërinë e shqiptarëve. Kjo politikë ka zhytur në stres familjen shqiptare, e cila po sjell drama dhe vetëvrasje të panjohura më parë, varfërinë e cila kërcënon jo vetëm ëndrrat e të rinjve, por po ua bën edhe mjaft të vështirë vitet e fundit të jetës gjyshërve tuaj”, - deklaroi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›