E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Sduam më vrasje të paidentifikuara

“Kemi të bëjmë me një kërcënim serioz që na kthen në ditët e vështira të ’97-ës”- tha Paskal Milo, në fjalën e tij mbajtur para kryeministrisë. Duke folur si një nga qytetarët protestues në këtë manifestim në mbrojtje të sigurisë, ai ka pranuar se të gjithë bashkë në këtë ditë i ka mbledhur një motiv jetësor.

“Nuk duam të përsëriten skena të tilla, nuk duam të shohim vrasje të paidentifikuara, varre të hapura shqiptarësh, Gërdec të tjerë. Ndaj jemi këtu sot, që të protestojmë e të kërkojmë që Gërdeci të shkojë deri në fund, të mos kemi më fatkeqësi të tjera të këtyre përmasave”- tha ai.

Në emër të forcës politike që përfaqëson, ai ka shprehur solidaritetin për drejtësinë që ka marrë përsipër të cojë deri në fund hetimin, pa iu nënshtruar presioneve.

Për herë të parë, sipas Milos, drejtësia shqiptare ka shansin e madh të mbetet në histori. Ajo duhet të mbrojë të drejtën e qytetarëve për të jetuar të sigurtë në vendin e tyre. “Jini vigjilentë dhe bashkë sepse edhe nesër edhe në zgjedhje duhet t’i themi Berishës të lirojë zyrën, sepse ka treguar se nuk ka ditur të qeverisë dhe ka treguar se këtë popull mund ta cojë vetëm në fatkeqësi”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›