Topi: Qeveria të shikojë edhe veriun e vendit
Me këtë apel Bamir Topi iu drejtua sot krerëve ekzekutivë të vendit nga qyteti i Pukës ku mori pjesë në një konferencë në kuadër të zhvillimit të zonave malore që u organizua sot.
Prania në një takim të tillë, në të cilat edhe u vu theksi për problemet dhe për punën që duhej bërë që këto zona të mos shkëputeshin nga pjesa tjetër e vendit për shkak të moszhvillimit të tyre, presidenti Topi ritheksoi nevojën që kishte kjo zonë për më shumë investime dhe për një “dorë” më të fortë ligjore.
Presidenti i vendit zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Pukës, takim gjatë të cilit u diskutuan problemet më thelbësore në rreth, si dhe mënyrat se si mund të gjehej një zgjidhje për to.
Në vizitën e tij në veri të vendit, presidenti Topi ishte i pranishëm edhe në panairin elektoral dhe blegtoral, ku dhe nderoi me medalje mirënjohjeje dy të rinjtë që hipën në majën e Malit të Bardhë në Francë: Mariglen Lacin dhe Mateo Begejën.