E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo “tradhton” Metën, bën pazar me PS-në



Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka zyrtarizuar dje daljen në tregun e pazareve politike të partisë së drejtuar prej tij. Milo tha se është i gatshëm që të bisedojë me Partinë Socialiste për çështjen e reformës zgjedhore, dhe pas këtyre bisedimeve, pse jo, të presë edhe ofertat e mundshme për t’u rreshtuar në koalicionin e selisë rozë. Madje Milo ka akuzuar mediat se përse ato e kanë quajtur PDS-së si pjesë të koalicionit “E Majta për Integrim”, ndërkohë që kjo parti ka qenë një prej themeluesve të këtij koalicioni. “Shpeshherë ka ndodhur që organe të informacionit e kanë vendosur PDS-në në mënyrë të padrejtë e të paargumentuar në një tjetër koalicion brenda opozitës shqiptare”, - tha Milo. Ai deklaroi se brenda kësaj jave do të takohej me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe më pas do të vendoste për ofertat e mundshme, se në cilin prej koalicioneve brenda së majtës do të bëjë pjesë PDS-ja. Lajmi për afrimin me PDS-në është pohuar edhe nga selia rozë. Bashkëkryetari socialist për Komisionin e Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj deklaroi dje se: “Ka pasur një komunikim të znj. Leskaj me z. Milo, në të cilin është shprehur vullnet për dialog e mirëkuptim në këtë proces. Ne kemi lexuar me vëmendje edhe një letër të z. Milo drejtuar z. Rama, lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në procesin zgjedhor dhe kemi vlerësuar me interes disa ide të trajtuara në të lidhur me administrimin e procesit zgjedhor dhe sigurinë e votës. Është rënë dakord që në ditët në vijim të mundësohet një takim i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve të dy partive”, - tha Xhafaj.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›