E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia akuzon Shqipërinë: “Furnizoi me armë Gjeorgjinë”



Rusia e akuzon Shqipërinë se ka furnizuar me armë shtetin e Gjeorgjisë, pas konfliktit më të fundit që ka shpërthyer midis dy shteteve. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta italiane “La Republica”, sipas së cilës edhe Shqipëria është në listën e vendeve që kanë furnizuar me armë Gjeorgjinë. Gazeta italiane i referohet deklaratës së gjeneralit Anatoli Nogovitsyne, shef i forcave të armatosura ruse, i cili në një konferencë për shtyp akuzoi vendet ballkanike dhe ato të Europës Lindore se kanë furnizuar me armë Tbilisin. Përveç Shqipërisë, në akuzë nga Rusia janë edhe Maqedonia, Bullgaria, Ukraina, Serbia, Hungaria dhe Rumania. Sipas gjeneralit rus, Nogovitsyne, përfshirja e Shqipërisë në trafikun e armëve është konstatuar që në fillim të vitit 2008. “Roli i Shqipërisë në shitjen e armëve, jo vetëm nëpërmjet tregtisë së ligjshme, doli në pah që pas tragjedisë së Gërdecit dhe arrestimit të drejtuesve kryesorë të shoqërisë shtetërore të import-eksporteve ushtarake “MEICO”. Por, që në fillim të vitit 2008, të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bënin fjalë për një rritje të ndjeshme të eksporteve të armëve të Shqipërisë në drejtim të Kaukazit dhe Afrikës. Në gjashtë muajt e fundit të vitit 2007 eksportet zyrtare të armëve kapnin shifrën e 3 milionë dollarëve. Kryesisht bëhej fjalë për shitje armësh të lehta, veçanërisht automatikë “Kallashnikovë”, të prodhuar pa licencë, që nga koha e regjimit komunist”, - deklaroi gjenerali rus, Nogovitsyne.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›