Sherri PS-LSI, shkak korrektimi kombëtar i votave
Shaban Sulçe
Thellohet edhe më tej sherri midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për çështjet e reformës zgjedhore. Dje të dyja partitë kryesore të opozitës kanë akuzuar njëra-tjetrën se po tentojnë të kryejnë pazare politike në kurriz të procesit të ndershëm zgjedhor. Akuzat e shkëmbyera nga të dyja palët kanë pasur të njëjtën përmbajtje, ndërkohë që nga ana tjetër, si PS-ja ashtu edhe LSI-ja janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë dhe të dialogojnë për arritjen e standardeve demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, PS-në dhe LSI-në duket se e ndan një element thelbësor për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Ngërçi midis dy partive kryesore të së majtës është sanksionimi ose jo në Kod i korrektimit kombëtar të votave, që duhet ti bashkëngjitet sistemit proporcional rajonal, që do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme.
Korrektimi kombëtar
Siç dihet, në zgjedhjet e ardhshme, sistemi zgjedhor që do të aplikohet në vendin tonë është sistemi proporcional rajonal. Aplikimi i këtij sistemi do të thotë konkurrim në 12 qarqet e vendit, ku do të konkurrohet vetëm për partitë apo koalicionet. Por në disa prej qarqeve, si në Kukës, Shkodër, Lezhë, apo Gjirokastër, për shkak të numrit të pakët të deputetëve dhe numrit të pakët të votuesve, do të aplikohet vendosja e një pragu të lartë elektoral. Çka do të thotë se shumë parti parlamentare, edhe pse mund të kenë një numër të konsiderueshëm votuesish në këto qarqe, rrezikojnë të fitojnë të paktën një mandat deputeti, për shkak të kuotave të larta në këto pragje. Në qarqet e sipërpërmendura mesatarja e pragut elektoral arrin në 15%, ndërkohë që ka qarqe të tilla si ai i Kukësit, ku për të fituar një deputet të vetëm duhet të marrësh 25% të votave. Çka do të thotë se votat e marra nga partitë, që janë më pak se ky prag, të shkojnë dëm. LSI-ja kërkon me forcë aplikimin e korrektimit kombëtar, pasi sipas saj, nuk do të shkojnë dëm çdo votë që jepet për partitë e majta. Korrektimi kombëtar do të mundësonte mbledhjen e këtyre votave në rang vendi dhe mbi bazën e tyre do të bëhet shpërndarja e një pjese të mandateve që do të rezervohen nga ky korrektim. Por Partia Socialiste shprehet kategorikisht kundër këtij propozimi. Selia rozë është për aplikimin e thjeshtë dhe të vetëm të sistemit proporcional rajonal, duke pretenduar se nuk duhet të deformohet përmbajtja e Kushtetutës së re.
PS
Bashkëkryetari socialist për reformën zgjedhore, Fatmir Xhafaj, tha se Partia Socialiste është kundër çdo deformimi ligjor që i kanoset hartimi i Kodit të ri Zgjedhor. “Në thelb ne synojmë, miratimin e një ligji të ri zgjedhor që respekton përcaktimin kushtetues për sistemin proporcional rajonal, duke mos lejuar, e theksoj, asnjë lloj deformimi ligjor që kërkon ta sjellë modelin sipas interesave elektorale të subjekteve zgjedhore të caktuara. Nuk janë taktikat dhe llogaritë elektorale partiake ato që përcaktojnë normat ligjore të kodit, por është kodi ai që përcakton rregullat e lojës dhe në varësi të tyre ndërtohen taktikat elektorale të subjekteve zgjedhore. Çdo diskutim i kundërt do të ishte veç pazari i radhës, gjë që ne nuk do ta lejojmë në asnjë rast”, - tha Xhafaj. Ai deklaroi se qëllimi i PS-së është që reforma zgjedhore të çohet deri në fund, pa deformime dhe pa arnime “alla shqiptarçe”, në një bashkëpunim me të gjitha forcat politike.
LSI
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, e akuzoi Partinë Socialiste se synon që në hartimin e Kodit të Ri Zgjedhor të sanksionojë marifete, të cilat dëmtojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. Vasili deklaroi se LSI-ja nuk do të bëhet kurrë pjesë e këtyre marifeteve. “LSI-ja nuk luan me votën e shqiptarëve. LSI-ja nuk do të bëhet asnjëherë dhe për asnjë arsye pjesë e marifeteve manipulative me Kodin Zgjedhor. Nuk ka dhe nuk do të ketë bashkëpunim për marifete që prodhojnë mashtrime, deformime dhe përçudnime elektorale. LSI-ja do të bashkëpunojë vetëm për realizimin e standardeve europiane të zgjedhjeve dhe kurrën e kurrës për prishjen dhe asgjësimin e tyre. Koalicionet e përbëra janë thjesht dhe vetëm një shpikje absurde, manipulative e atyre që nuk konkurrojnë dot ndershmërisht, hapur dhe pastër, por kanë në mendje vetëm “Bishtkoalicionet”, tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.
26 Gusht 2008