E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët e Bashës: Procesi ndaj klientit tonë, montim politik

Dy avokatët mbrojtës të ministrit Lulzim Basha dhe Andi Tomës e kanë cilësuar procedimin penal në ngarkim të klientëve të tyre një montim politik. Përfaqësuesit ligjor të ish-ministrit të Transporteve dhe drejtorit aktual të Rrugëve, Zef Nikaj dhe Genc Gjokutaj, e bënë deklaratën e tyre ditën e djeshme. Një ditë pas reagimit të Kryeprokurores Ina Rama, dy avokatët kanë sqaruar se çështja “Durrës-Kukës” ka dalë jashtë shtratit procedural. “Ky procedim penal është regjistruar që në muajin janar të vitit 2007. Bazuar në ligjin procedural penal, afati normal i hetimit të një çështjeje është tre muaj. Brenda këtij afati duhet të përfundojë hetimin në një nga mënyrat që parashikon ligji: pushim ose dërgim të çështjes në gjyq. Nga ana e prokurorisë janë marrë zgjatje të njëpasnjëshme të afatit hetimor, duke e çuar hetimin në limitet e afatit maksimal 2-vjeçar, rast ky i paprecedentë në historinë e drejtësisë shqiptare”, - kanë sqaruar dje avokatët. Sipas tyre, Prokuroria e Përgjithshme ka shkelur funksionet e saj kushtetuese, e cila në vend që të kryente hetime të shpejta dhe objektive të çështjes, qëllimisht ka zvarritur përfundimin e saj. “Kjo zvarritje u vërtetua përfundimisht në rrugë gjyqësore me vendimin nr. 1495, datë 18.11.2008 të Gjykatës së Tiranës, e cila urdhëroi mbylljen e hetimeve për këtë çështje. Për pasojë, çështja në fjalë, për shkak të mosushtrimit të ndjekjes penale në kohë dhe brenda afateve, për motive qartësisht joligjore dhe me prapavijë politike, për faj tërësisht të prokurorisë, ka dalë jashtë çdo lloj shtrati procedural. E gjendur para kësaj situate, prokuroria në vazhdën e saj antiligjore po tenton të mbrojë veprimet e saj thellësisht arbitrare dhe antiligjore”, - vazhdojnë më tej mbrojtësit. Nga ana tjetër, në deklaratën për shtyp, dy avokatët, Nikaj dhe Gjokutaj, thanë se prokuroria pretendon që njoftimi i akuzës është akt procedural dhe jo veprim hetimor dhe si i tillë mund të kryhet edhe jashtë afateve. “Kodi i Procedurës Penale parashikon qartë se hetimet përfundojnë me vendim pushimi ose vendim për dërgimin e çështjes në gjykatë. Ky vendim pushimi ose dërgimi të çështjes në gjykatë duhet të kryhet brenda afatit të hetimeve. Por që një vendim i tillë të merret, duhet që paraprakisht të jetë kryer njoftimi i akuzës së shtetasve, madje të jenë njohur ata paraprakisht. Kjo do të thotë që akti i njoftimit të akuzës duhet patjetër të kryhet brenda afatit të hetimeve”, - sqarojnë avokatët mbi pretendimet e ngritura nga ana e prokurorisë. Në argumentin e tyre, mbrojtësit argumentojnë se bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë një javë më parë, data e fundit në të cilën prokuroria mund të përfundonte veprimet ka qenë e enjte, 6 nëntor 2008. Me këtë vendim të dhënë nga gjykata, çdo njoftim akuze duhej të bëhej para datës 6 nëntor 2008. “Tashmë që jemi jashtë afatit të hetimeve, çdo vendim apo akt për njoftim akuze është në shkelje të ligjit dhe përbën një abuzim flagrant”, - thonë mbrojtësit. Pikërisht këta të fundit i referohen vendimit të marrë nga Gjykata e Tiranës, për dy ankimuesit Andi Toma dhe Armand Teliti, për të cilën gjykata vendosi që të pushojë zgjatjen e hetimeve edhe një muaj. Dy ditë pas vendimit të marrë nga ana e gjykatës, prokuroria përjashtoi nga dosja “Durrës-Kukës” të pandehurin Armand Teliti dhe Lajla Saraçi, duke shpjeguar se nuk ka prova kundër tyre, si dhe mori të pandehur ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm. Po ashtu, prokuroria i shtoi edhe një tjetër akuzë, atë të shkeljes së barazisë në tendera. Vetë ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i quajti shkelje të ligjit veprimet e akuzës dhe për këtë, ai hodhi në gjyq Prokurorinë e Përgjithshme.

Lulzim Basha hodhi në gjyq Prokurorinë e Përgjithshme

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, hodhi në gjyq Prokurorinë e Përgjithshme, shkak janë parregullsitë e thirrjes para akuzës. Basha refuzoi paraqitjen në Prokurorinë e Përgjithshme, duke e konsideruar thirrjen me prapavijë politike. Madje, nëpërmjet avokatit të tij, Zef Nikaj, paditi në gjykatë prokurorin Arben Kraja, duke kundërshtuar thirrjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Shkak për këtë refuzim, për t’iu paraqitur thirrjes së prokurorit të çështjes, Arben Kraja, kanë qenë parregullsitë në procedurën e thirrjes së klientit të tij si të pandehur në prokurori. Kjo ka qenë arsyeja pse avokati i Bashës, Zef Nikaj, ka depozituar në gjykatë një padi me objekt kundërshtim të vendimit të prokurorit. “Shpërfillja flagrante e detyrimeve ligjore dhe e vendimit të gjykatës demonstron qartë prapavijën e pastër dhe prapaskenat politike të trajtimit të kësaj çështjeje dhe përdorimin si një mashë politike të Prokurorisë së Përgjithshme”, - ka deklaruar avokati Nikaj pas fletëthirrjes. “Në vazhdën e reagimit tonë ligjor, bërë i ditur disa ditë më parë ndaj veprimeve flagrante të prokurorisë në kundërshtim me ligjin, në respektim të dispozitave ligjore, sot si përfaqësues ligjor i z. Lulzim Basha u paraqita pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, për t’i paraqitur të gjitha shkeljet ligjore që përmbajnë aktet procedurale të njoftimit, bazuar në nenin 130 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale”, - u shpreh gjatë një konference për shtyp avokati Nikaj, një orë e gjysmë pasi kishte dalë nga zyra e prokurorit Kraja. Sipas tij, në mënyrë të shkruar i ka paraqitur prokurorit të çështjes, të gjitha parregullsitë ligjore të veprimeve të tyre. Për këto parregullsi ka kërkuar pavlefshmërinë edhe përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Reagimi i prokurorisë për akuzat e Bashës

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar menjëherë pas akuzave të ngritura në drejtim të saj nga ish-ministri i Transporteve, Basha, lidhur me çështjen “Durrës-Kukës”. Prokuroria thotë se ka zbatuar ligjin. Në një deklaratë për shtyp, Prokuroria ka sqaruar se ka zbatuar ligjin dhe nuk ka bërë asnjë shkelje lidhur me këtë çështje. Basha, në një konferencë për shtyp, akuzoi prokurorinë se ka shkelur ligjin duke vazhduar hetimet edhe pse gjykata kërkoi ndalim të çështjes. Ndërkohë në reagimin e prokurorisë sqarohet se “Prokuroria është mbështetur mbi faktet që rezultojnë nga hetimi dhe mbi dispozitat ligjore në fuqi dhe nuk ka shkelur në asnjë aspekt ligjin. Pas vendimit të gjykatës të Tiranës, e cila e shfuqizoi vendimin e prokurorisë për zgjatjen e afatit të hetimit, prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor në lidhje me këtë procedim penal, gjë që do të thotë se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim tjetër që konsiston në marrjen e provave që provojnë akuzën”.

Prokuroria, me postë akuzat ndaj Bashës

Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar me postë akuzat për ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Zarfi me akuzat është dërguar për në zyrën e avokatit të ministrit Basha. Ministri Basha refuzoi të paraqitej në Prokurorinë e Përgjithshme për t’u pyetur në cilësinë e të pandehurit nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me fondet e rrugës Durrës-Kukës. Në prokurori ka shkuar vetëm avokati i tij, Zef Nikaj, i cili ka qëndruar vetëm pak minuta. Nisur nga kjo, Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi me postë në zyrën e avokatit akt-akuzën ndaj ministrit Basha.

Deklarim i avokatëve Zef Nikaj dhe Genc Gjokutaj, si përfaqësues ligjorë të ministrit të Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha dhe z. Andi Toma Prokuroria e Përgjithshme ka shkelur funksionet e saj kushtetuese Në lidhje me deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme në kuadër të procedimit penal nr. 1 të vitit 2007, ne, Av. Zef Nikaj dhe Genc Gjokutaj, si përfaqësues ligjorë të z. Lulzim Basha dhe z. Andi Toma deklarojmë se: Ky procedim penal është regjistruar që në muajin janar të vitit 2007. Bazuar në ligjin procedural penal, afati normal i hetimit të një çështjeje është tre muaj. Brenda këtij afati duhet të përfundojë hetimin në një nga mënyrat që parashikon ligji: pushim ose dërgim të çështjes në gjyq. Nga ana e prokurorisë janë marrë zgjatje të njëpasnjëshme të afatit hetimor, duke e çuar hetimin në limitet e afatit maksimal 2-vjeçar, rast ky i paprecedentë në historinë e drejtësisë shqiptare. Prokuroria e Përgjithshme, në shkelje të funksioneve të saj kushtetuese, në vend të hetimit të shpejtë dhe objektiv të çështjes, qëllimisht ka zvarritur përfundimin e saj. Kjo zvarritje u vërtetua përfundimisht në rrugë gjyqësore me vendimin nr. 1495, datë 18.11.2008 të Gjykatës së Tiranës, e cila urdhëroi mbylljen e hetimeve për këtë çështje. Si pasojë, çështja në fjalë, për shkak të mosushtrimit të ndjekjes penale në kohë dhe brenda afateve, për motive qartësisht joligjore dhe me prapavijë politike, për faj tërësisht të prokurorisë ka dalë jashtë çdo lloj shtrati procedural. E gjendur para kësaj situate prokuroria në vazhdën e saj antiligjore po tenton të mbrojë veprimet e saj thellësisht arbitrare dhe antiligjore. Prokuroria pretendon që njoftimi i akuzës është akt procedural dhe jo veprim hetimor dhe si i tillë mund të kryhet edhe jashtë afateve, por Kodi i Procedurës Penale parashikon qartë se hetimet përfundojnë me vendim pushimi ose vendim për dërgimin e çështjes në gjykatë. Ky vendim pushimi ose dërgimi të çështjes në gjykatë duhet të kryhet brenda afatit të hetimeve. Por që një vendim i tillë të merret, duhet që paraprakisht të jetë kryer njoftimi i akuzës së shtetasve, madje të jenë njohur ata paraprakisht. Kjo do të thotë që akti i njoftimit të akuzës duhet patjetër të kryhet brenda afatit të hetimeve. Në rastin konkret, bazuar dhe në vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë, data e fundit në të cilën prokuroria mund të përfundonte veprimet ka qenë e enjte, 6 nëntor 2008. Çdo njoftim akuze duhej të bëhej para datës 6 nëntor 2008. Tashmë që jemi jashtë afatit të hetimeve çdo vendim apo akt për njoftim akuze është në shkelje të ligjit dhe përbën një abuzim flagrant. Për sa i përket pretendimit që vendimi i gjykatës nr. 1495, datë 18.11.2008, nuk i shtrin efektet mbi z. Basha, ky është një pretendim absurd, jologjik dhe jo ligjor. Gjykata ka vendosur të mos zgjasë afatin e hetimit për procedimin penal nr. 1 të vitit 2007, pra gjykata i është referuar çështjes hetimore në tërësi dhe jo individëve. Ky vendim gjykate i shtrin efektet mbi procedimin në tërësi dhe mbi vetë organin e prokurorisë. Ky vendim ndalon kategorikisht organin e prokurorisë të kryejë çdo lloj veprimi hetimor ose akt procedural që pasuron dosjen hetimore. Edhe pse prokuroria deklaron se ka bërë ankim në bazë të Kodit të Procedurës Penale, ky ankim nuk pengon ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Si përfundim, çdo akt procedural i ndërmarrë nga prokuroria pas datës 6 nëntor 2008 është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe Kushtetutën. Këto veprime dhe pretendime antiligjore dhe antikushtetuese të prokurorisë manifestojnë, në mënyrën më skandaloze dhe më të paprecedentë në historinë e drejtësisë shqiptare, se kemi të bëjmë me një proces të montuar politik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›