Miloshoski: Nuk mbështesin rezolutën e Serbisë për Kosovën
Maqedonia zyrtare reagon për çështjen e projektrezolutës serbe për Kosovën.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski, ka thënë se vendi i tij nuk do ta përkrahë projekt-rezolutën e Serbisë në OKB, me të cilën Beogradi synon bisedime të reja për statusin e Kosovës. " Në këtë moment mund të them se është pothuaj e sigurt se Republika e Maqedonisë nuk do ta përkrahë projekt rezolutën serbe në OKB", citohet të ketë thënë Miloshoski. Megjithatë, ai ka shpjeguar se vendimi përsa i përket votës së Maqedonisë në OKB nuk është marrë ende zyrtarisht nga Qeveria e Maqedonisë. Por, sipas shefit të diplomacisë maqedonase, qëndrim të njëjtë lidhur me projekt-rezolutën serbe ka edhe Mali i Zi. Podgorica dhe Shkupi e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të njëjten ditë, me 9 tetor 2008. "Jemi në të njëjtën vijë edhe me Podgoricën. Por, cili do të jetë votimi ynë përfundimtar do të shohim në ditën e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së", ka thënë Milloshoski.