E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mima: Do të ulim sigurimet për punonjësit

Sipas bizneseve me fason, qeveria ul sigurimet dhe rrit pagën minimale, çka sjell detyrime më të larta për sistemin taksativ

Sipas zëvendësministrit të Financave, Florion Mima, ulja e sigurimeve do të mund të realizohet vetëm pas hartimit të skemës së pensioneve

Pas hartimit të skemës së pensioneve, qeveria do të marrë nismën për uljen e vlerës së sigurimeve për të gjithë punonjësit. Kjo është deklarata e djeshme e zëvendësministrit të Financave, Florion Mima, i cili tha gjatë një takimi me fasionistët, se “do të vijë koha që punonjësit e punësuar rishtazi do të paguajnë vetëm 0.5 për qind të të ardhurave për sigurimet”. Sipas zëvendësministrit, për momentin nuk do të rishikohet ulja e pagës minimale, por do të gjenden forma të tjera për lehtësimin e bizneseve, kryesisht atyre që punojnë me fason. “Me vendosjen e kufijve të rinj për pagën minimale, do të shohim të tjera mënyra për të ndihmuar bizneset. Kështu mund të realizojmë një tjetër lehtësim për ju që punoni me fason, i cili konsiston në uljen e detyrimeve për sigurimin e punonjësve të punësuar rishtazi”, tha dje Mima.

Ankesat e fasonistëve

Gjatë takimit të djeshëm me zëvendësministrin e Financave, si dhe me këshilltarin e kryeministrit, biznesmenët që punojnë me fason kanë kërkuar ndihmën e qeverisë, të cilën ata e kanë gjykuar si një instrument që vetëm vjel taksa dhe nuk jep asnjë përkrahje. Sipas biznesmenëve, edhe ulja apo heqja e TVSH-së për makineritë është një fenomen që duhet të realizohet domosdoshmërisht. Një tjetër fasonist, Ferdinand Kokona, theksoi se për të konkurruar duhet të blejmë një makineri të reja, që jo vetëm kushtojnë, por kanë edhe një TVSH të lartë. “Ne e ndiejmë veten të diskriminuar nga qeveria, pasi konkurrentët tanë në vende të tjera i ndihmon shteti, ndërsa neve shteti vetëm na merr”, tha dje fasonisti Alfred Pjetra.

Paga minimale

Një tjetër shqetësim i ngritur dje nga biznesmenët është edhe ai i rritjes së pagës minimale. Kështu, ata i kanë cilësuar lodra premtimet dhe lëvizjet fiskale të qeverisë, që në njërin krah ul sigurimet, ndërsa në anën tjetër rrit vlerën e pagës minimale. “Ju ulni sigurimet, por rrisni pagën minimale pesë herë në vit, dhe për këtë ne paguajmë edhe më shumë sesa paguanim me sigurimet e rritura”, tha fasonistja Bardha Loci.

Eksportet me material gjysmë të gatshëm përbëjnë mbi 50 për qind të totalit të eksporteve shqiptare. Kjo industri është gjithashtu edhe një nga më të rëndësishmet në vend sa i takon punësimit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›