I nxjerrin palombarët
SHKODËR - Të paktën shtatë orë ndenjën në thellësinë prej 6 metrash në ujërat e lumit Drin kufomat e dy personave, që gjetën vdekjen pasi automjeti tip “Golf” me targa italiane me të cilin udhëtonin, devijoi nga rruga dhe ra në lumë. Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur “Kthesa e Beltojës”, rreth orës 2:30 të mëngjesit të djeshëm, ndërsa kufomat e Moisi Karasanit, 40 vjeç dhe kushëririt të tij 22-vjeçar, Fation Met’hasanit, u nxorën nga uji rreth orës 9:30 të paradites. Edhe pse ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht shkaku i aksidentit për të cilin po hetohet, paraprakisht mendohet se shpejtësia e madhe e automjetit “Golf 3” me targa italiane PI588551, ka bërë që drejtuesi i tij, 40-vjeçari Karasani, të devijojë dhe si pasojë të bjerë në lumë. Policia bëri të ditur se drejtuesi i mjetit, nga Peshkopia dhe banues në Tiranë, ishte nisur nga Shkodra dhe po udhëtonte drejt Tiranës, pas një darke me miq. Kanë qenë rojet e një lokali që ndodhej fare pranë vendit të ngjarjes, të cilët pasi kanë dëgjuar zhurmën e përplasjes së mjetit dhe kanë konstatuar se automjeti ishte fundosur në ujë, kanë njoftuar me shpejtësi policinë. Megjithëse shërbimet policore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, gjetja e trupave të personave dhe nxjerrja e automjetit nuk është bërë e mundur deri në orët e para të paradites së djeshme, kur në vendngjarje mbërritën palombarët e repartit special të RENEA-s nga Tirana. Fillimisht është arritur që të gjendet dhe të nxirret nga uji trupi i pajetë i drejtuesit të mjetit, Moisi Karasani, i cili mësohet se ishte shef prapavije në një repart ushtarak në kryeqytet. Pak minuta më pas, me ndihmën e mjeteve të rënda është bërë e mundur nxjerrja nga uji e automjetit tip “Golf”. Uniformat blu kanë menduar se në automjet ndodhej vetëm drejtuesi tij, ndaj nisën të largoheshin nga vendi i ngjarjes, por pas mbërritjes së të afërmve të Karasanit është mësuar se së bashku me të ishte duke udhëtuar edhe djali i tezes së tij, Fation Met’hasani, 22 vjeç, student në vitin e dytë në degën e Gjuhë-Letërsisë në Universitetin e Shkodrës. Kjo ka bërë që palombarët e RENEA-s të kthehen sërish dhe të vazhdojnë kërkimet dhe rreth mesditës është bërë e mundur edhe gjetja e trupit të pajetë të Met’hasanit.