E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelen masterat e rinj për inxhinierët

Universiteti Politeknik i Tiranës dhe fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit shpallën dje çeljen e diplomave të nivelit të dytë dhe kuotat e pranimit në disa prej degëve të tyre

TIRANË - Vazhdon çelja e programeve të nivelit të dytë pasuniversitar në universitetet publike. Në mbledhjen e radhës së qeverisë, ditën e djeshme u vendos hapja e disa programeve të ciklit të dytë në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Kandidatët që do të fitojnë të drejtën për të vazhduar studimet në këto programe, pas kryerjes së studimeve në degët përkatëse do të pajisen me Diplomë të Nivelit të Dytë (DND). Këto programe studimi, të cilat e fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009, do të kenë një kohëzgjatje normale prej dy vjetësh dhe realizohen me 120 kredite. Degët ku do të çelen programet e ciklit të dytë do të jenë: Inxhinieri Mjedisi, me profile Trajtim Uji dhe Energjetikë, si dhe në Inxhinieri Ndërtimi, me profil Gjeoteknik. Për sa u përket kuotave të pranimit në programet e mësipërme të ciklit të dytë me kohë të plotë, në Universitetin Politeknik të Tiranës, për vitin 2008-2009 do të jenë: në degën e Inxhinieri Mjedisit - 50 studentë, ndërsa në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit, me profil Gjeoteknikë - 25 studentë. Universiteti Politeknik i Tiranës do t’i shpërndajë kuotat e vëna në dispozicion të tij në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët që kanë përfunduar të paktën ciklin e parë të studimeve, në institucionet e tjera të arsimit të lartë dhe jo më shumë se 70 për qind për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë që plotësojnë kriteret, atëherë Universiteti Politeknik i Tiranës ka të drejtë të plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët që janë diplomuar në të. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve të përcaktuara nga njësitë kryesore të Universitetit Politeknik të Tiranës do të bëhen publike. Kandidatët që u përkasin shtresave sociale si: të verbër, të shurdhër, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, të ish-të përndjekurve politikë, të cilët do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit. Të gjithë studentët që do të fitojnë të drejtën për të kryer studimet e nivelit të dytë pranë këtyre fakulteteve, do t’i nënshtrohen vetëm një tarife vjetore shkollimi. Në çdo program studimi të ciklit të dytë të studimeve me kohë të plotë, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë dhe nga cikli i dytë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit për vitin akademik pasardhës. Kuotat e pranimeve në programet e studimit të ciklit të dytë që mbeten të parealizuara, rishpërndahen sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›