E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mima: Mund të marrim më shumë borxh nga jashtë

Qeveria ka parashikuar një deficit prej 50 mld lekësh për vitin 2010, që do të financohet duke marrë borxh


TIRANË- "Shqipëria ka tregues financiare të cilët i lejojnë që të marrë më shumë borxh se ç'ka marrë deri më tani". Kështu u shpreh dje gjatë punimeve të Komisionit të Ekonomisë ish-ministri i Financave, Florion Mima, në lidhje me debatin për rritjen e borxhit të jashtëm.

Sipas tij, deri më tani qeveria ka punuar nën presionin e mosrritjes së tij ndërkohë që vendi ka nevojë për financime të mëtejshme dhe marrja e një borxhi më të madh është i përballueshëm.


"Nuk duhet që të sakrifikojë vetëm brezi ynë për investime që do të trashëgohen edhe në breza të tjerë. Një pjesë të borxhit ta shlyejmë ne, ndërsa pjesën tjetër trashëgimtarët tanë të cilët do të gezojnë edhe investimet", - tha Mima.


Dy ditë më pare, vetë Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se edhe gjatë vitit të ardhshëm qeveria do të marrë borxh për financimin e investimeve publike. Por ndryshe nga vitit 2009 ku borxhi u mor me kosto të lartë, vitin e ardhshëm sipas tij, pritet të ketë norma interesi më të ulta.


"Shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë.


Ministria e Financave ka nisur negociatat me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Europiane të Investimeve dhe Bankën Botërore që projektet madhore të infrastrukturës të mund të udhëhiqen nga këta donatorë", - tha Bode.


Qeveria ka parashikuar një deficit prej 50 miliardë lekësh për vitin e ardhshëm, që do të financohet përmes marrjes së borxheve, por në kushtet aktuale të tregut në Shqipëri, plotësimi i një kërkesë të tillë duket i pamundur duke e detyruar atë të kërkojë financim në tregun ndërkombëtar


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›