E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mimoza Ahmeti - Burrat e sotëm janë si improvizime



ANI JAUPAJ

Në valën e një dufi të justifikuar, Mimoza Ahmeti, e pohon haptazi, në rrëfenjat nga jeta e saj që ka përmbledhur në librin me tregime ‘Ich liebe dich, Adlia’, skepticizmin me të cilin është mësuar ta shohin. Të shkruarit është terren i mirë për të nxjerrë jashtë vetes cëmbiet e brendshme. Dhe Mimoza Ahmeti e bën, më së miri madje. E bën me këngë, poezi, pikturë, shoqëruar këto gjithnjë me pijen e saj të preferuar, ndjesitë e mprehta të shqisave. Veçse, në këtë libër, duket sikur ishin bërë bashkë të tria, të shkruarit, bashkë me dy pasionet e saj. Jo vetëm për shkak se libri ilustrohej me dy-tri portrete realizuar prej saj, por edhe sepse, shpesh, të dukej sikur atë mbushje të sajën me jetë, po ta këndonte. Të mos ishte për këngën e saj të dashur, imagjinata ndoshta as që ngacmohej nga një ndjesi e tillë, po ja që ajo mundet. Skeptikët, që shpesh janë të tillë për mungesë njohjeje, as fare nuk e dëmtojnë. Vetëm sa e grishin për të shpërfaqur dufin, çka natyrshëm nuk ia lejon vetëpërmbajtja. E natyrisht që përjetimet që nuk i binden rregullatorit të përmbajtjes, letërsisë, vetëm sa i bëjnë mirë. Ndoshta prandaj, kur lexon Mimoza Ahmeti, në krye të një shkrimi a kopertinë të një libri, gjithnjë ke një tundim të njohur për ta shfletuar...

Pas leximit të tregimeve, histori dashurie, (love story) siç shkruhet në krye të çdo faqeje të librit, duket sikur justifikohet më shumë nga masa e përfshirjes tuaj emocionale se nga historitë e dashurisë së protagonistëve...
Po, është e vërtetë. Kam dashur të tërheq lexuesin dhe të largoj perceptimet ambigue rreth veprës. “Love story” për mua përfshin gjithmonë një kërkim drejt së pamundurës nëpër shtigje erotike dhe ku gjithmonë konteksti krijon një dekor epokal, ku duket stili si përsosmëri e formave, si jetë e estetizuar e objekteve që na rrethojnë. Të jesh i bukur do të thotë të rrosh në një dekor të bukur, që në rastin tim më së shumti është natyrë ose horizont mendimi. Sfondi ku jetojmë na ofron pak gjë nga sa fola.
Disa tregime janë të mbushur me revoltë ndaj kohës kur janë shkruar, përse i keni bërë tokë me dy të parët që, përkundrazi, ju kanë dhënë emocione krejt të ndryshme?
Janë shkruar në kohë dhe vende të ndryshme. Por ato tregime që duken paksa më të mprehta, çuditërisht kanë një intensitet mendimi dhe freski fjale që më befason edhe mua. Kështu vendosa të krijoj këtë bashkëjetesë në një libër me gjithë natyrën deri diku kontraversale të formës së tyre, duke i vendosur në një hiperformë që siç e thashë, për mua përshtatej: Love Story.
Në tregimin e parë,‘Ich liebe dich, Adlia’, flisni për një burrë, takuar pas internimit të tij (nuk di pse më solli në mend poemën tuaj kushtuar Jusuf Vrionit...), a mund të personifikohen burra të një bukurie të tillë që përshkruani, kush ishte?
Burrat e bukur janë një dhuratë në jetën e çdo gruaje dhe ata lënë impakt në mendjet dhe zemrat e bashkëkohësve. Shoqëria klasike ka dhuruar modele burrash të bukur, që na duket sikur nuk do të përsëriten kurrë. Burra që kanë pasur një shkëlqim mendor dhe etik brenda shoqërisë moderne patriarkale. Burra që e kanë përballuar me dinjitet gjuetinë e egër nga burrat e rëndomtë e disa herë të pushtetshëm. Në Angli për ta ka pasur edhe një emër të veçantë: Burra Dendi. Ata kanë ekzistuar e performuar përtej kontekstit kohor dhe nuk kanë marrë poza shpëtimtari. Burri për të cilin ju më pyesni në tregimin tim, është një përshkrim autentik. Ai quhej Gjergji Plasari. Ashtu si dhe Adlia, gruaja e gjithkohshme, ishte një e tillë.
Në të vërtetë vetmia e çdo gruaje është një mungesë burri. Nuk dua ta ekzagjeroj, por burrat e sotëm janë si improvizime. Ata kalojnë kaq tangencialisht në jetën e një gruaje, saqë vështirë se mbetet ndonjë gjurmë në kujtesë. Kjo që po them nuk është pretendim, sesa një apel ndaj racës mashkullore. Por nga ana tjetër nuk kanë edhe faj, pasi stimuli social, fitimi, ashtu si një asteroid që zhduku dinozaurët, la aq pak hapësirë për bukurinë mashkullore në kuptimin jo vetëm vizual, por edhe njerëzor të kësaj fjale. E meqë e kujtuat, Jusuf Vrioni ka qenë një “Dendi” i kulturës dhe realitetit shqiptar.
Pastaj është gruaja e gjithëkohshme, mandej në tregimin pasardhës Josefina, e paharrueshme... një përshkrim për gra që duken larg së prekshmes, realitetit...
Sigurisht, bazat e gjithë kësaj që quajmë civilizim janë mbështetur në internalitetin e sublimuar, por edhe të stërholluar të gruas. Në tolerimin, durimin, bashkimin e diverses në atë lidhje që është familja, ku gruaja sundon, duke duruar dhe injoruar tiraninë dhe pa pasur nevojë ta mediatizojë veprën e saj ashtu si mashkulli e ka. Kjo është edhe arsyeja pse ajo mendohet si model i së ardhmes, si strukturë e abstraguar, jo thjesht gjinore.
Burri i njëhershëm që martohet me gruan budallaqe dhe gruaja e gjithhershme që martohet me shpirtin e saj: kjo e lëviz botën...pohimi masiv i kësaj të tremb...
Fjalia e mësipërme është thënë nga Adlia. është një thënie e gjallë, jo e krijuar. Prandaj e marr si të vërtetë pa provim, pasi ka dalë nga shpirti. E për sa i përket kuptimit të saj, me sa duket lëvizja ndodh kur ekstremet bashkohen...
I referoheni përvojave tuaja kur thoni, gjithnjë do të humbisja shansin, pothuajse me qëllim...?
Sigurisht. E kujt tjetër mund t’i referohem! Humbja ose negacioni shikohet si e vetmja rrjedhë, në të cilën njohja dhe zhvillimi pi.
ç’raport krijohet me sy, njerëz, që të shohin gjithnjë me skepticizëm?
Skepticizmi është pordha e shqiptarit. Ai e urren çdo vlerë dhe prandaj ka mbetur në zgrip. Ky përgjithësim ka dufin brenda, por nuk është pa gjë!
Nëpërmjet një tregimi, ngulmoni që lexuesi të zëvendësojë pjesën zhgënjyese me gëzimin për jetën. Jashtë lehtësisë së librave sa është e mundur kjo? Po ju vetë mundeni ta bëni?
Unë kam gëzuar edhe pa njerëz. Kjo ka qenë marrëzia më e madhe e jetës sime dhe e vetmja që nuk më ka krijuar asnjë lloj zhgënjimi.
Ka paradoks mes masës që ju arrini të shijoni gjërat (këtë shije të lë përshkrimi) dhe një pyetjeje që shtroni “Të kem humbur aftësinë për t’u kënaqur nga kjo jetë?”...
Shkrimi është tradhtar. Unë e dua jetën dhe kam një aftësi të jashtëzakonshme për tu kënaqur edhe pa arsye, dhe kjo ka qenë irritimi më i tmerrshëm, që kam shkaktuar te ata që nuk e kanë të tillë veti.
Si është një vuajtje, për kokërr të qejfit?
Si unë.

Si joshen gratë?
Filippo Tommaso Marinetti ofron ca këshilla mbi joshjen e grave. “Si t’i joshim gratë”, titulli i origjinalit “Come si seducono le donne”, vjen në shqip nga shtëpia botuese “Ideart”. Për herë të parë libri doli në dritë në vitin 1916 dhe përbën pa dyshim suksesin më të madh editorial të Marinetti-t. është ribotuar dy herë në të gjallë të autorit dhe disa herë pas vdekjes. Teksti ka formën e një traktati autobiografik mbi artin dashuror dhe lexohet me kënaqësi falë ironisë dhe frymës groteske me të cilën rrëfehen bëmat e këtij donzhuani futurist. Shkruar përpara se autori të nisej vullnetar në front dhe korrigjuar gjatë një periudhe konvaleshence në Spitalin ushtarak të Udines, “Si t’i joshim gratë” tallet me estetikën dannunziane të “vatrës familjare” e më në përgjithësi me sentimentalizmin mikroborgjez. Në dukje libri i Marinetti-t s’është veçse një sprovë cinizmi dhe trashamanësie, por askush më shumë se Marinetti nuk i çmon gratë...

Oz, një rrëfim për dashurinë dhe errësirën

I vetmi shkrimtar pretendent për dy çmime Nobel, për Letërsi dhe Paqe, Amos Oz flet sërish shqip me veprën e tij “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”. “Skanderbeg Books” ka hedhur në treg një nga veprat më të rëndësishme të autorit izraelit Amos Oz, të titulluar “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”. Kjo vepër vjen pas botimit në shqip të romanit “Të njohësh një grua”, libër që u prit me shumë interes nga lexuesi shqiptar. Amos Oz botohet ekskluzivisht nga “Skanderbeg books” në gjuhën shqipe dhe pas kësaj vepre ky autor do të prezantohet me romanin “Mikaeli im” dhe vepra të tjera në vazhdim. “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, i botuar në 41 gjuhë të botës është cilësuar nga kritika si një ndër librat më të rrallë autobiografikë të shkruar ndonjëherë. “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” është një sagë familjare dhe një nga librat autobiografikë më të bukur të shkruar ndonjëherë në historinë e letërsisë.

Vend për njerëz

Dola përjashtë dhe po ecja shpejt. Po më merrej fryma. Lotët rrokulliseshin në lëngun e gojës. Po qaja nga brenda. Tani e dija përse kishte ndodhur e gjitha! E dija përse e kërkoja edhe pas kaq vitesh atë grua! Dhe emrin ia pata mësuar vetëm mbrëmë! Asaj që me një vështrim kishte kuptuar se unë kisha pritur gjatë, shumë gjatë, dhe do të vazhdoja të prisja në rradhën e mundësive, për të marrë atë që jeta haptas ta dhuron, por që unë e refuzoja duke pritur të përsosurën, duke humbur orët, ditët, vitet... deri tek ajo grua, e cila me një vëhstrim e apt kuptuar këtë, dhe kish ndarë si me thikë hapsirën me atë lëvizje dore, duke bërë një vend për mua jashtë rradhe, ndërsa të tjerët vazhdonin të prisnin përpara meje, në këmbë!
Kishte qenë JOzefinë Havelka ajo, që dinte të dallonte rendin e njeriut, në këtë botë ku njerëzimi në përgjithësi qe shndërruar thjesht në një statistikë.

Nga tregimi ‘Mbetet të sillemi bukur’

Përse të mburrem kot! Asgjë nuk kisha parashikuar, madje jo vetëm kaq: cfarë kishte ndodhur, gjithë ajo rrapëllimë mediash gjatë vitit ’97, kallashësh, mitingjesh, tankesh dhe FMP-je, ku, për cudi midis asaj gjurulldie pame edhe ëndërr me mbret, jo vetëm që ishte e parashikuar për mua, por edhe ëndrra vetë, më e para ëndërr, nuk më ka ngjallur kureshtje dhe tmerr të tillë!
Një jetë si kjo, do të thuhej, ku me sy hapur jetohet një makth që zili s’do ta kish as më i drobituri dhe i pashpresi rob as në gjumë, do të qe eksperiencë e papërsëritshme për një intelektual, (meqë ra fjala për të!), por jo për mua, kurrsesi për mua që harroj gjithmonë të kujtohem që bëj pjesë në një zhgan të tillë.
Kam qenë në Hotel “Rogner” atë natë, ku gazetarët silleshin si çakejtë rreth kurmit të freskët të saporënë, madje të padalëshpirt akoma, kur vendosa t’i lutem Frymës të shmangë atë katrahurë.
I thashë çanit se do ta ndaloja këtë mizori, se Zoti do të më dëgjonte, se unë nuk i kisha dalë atij fjale asnjëherë, dhe se, gjithë ç’kisha bërë, kishin qenë në tërësi vullnet i tij. Por çani ma ktheu: -Je në vete! Ata erdhën! Nesër i ke në Tiranë! (e kishte fjalën për rebelët). Më pas kuptova që shumica e atyre që vërtiteshin nëpër Hotel, ishin pajisur me viza, për t’u lektisur ndoshta, siç thosh e ndjera gjyshe, “që me sabah”!

Nga tregimi ‘Ich limbe dich Adlia’

“Ndoshta ajo që më trondiste më tepër, ishte madhësia e vogël e kësaj bote, një madhësi me të vërtetë zhgënjyese, kur behej fjalë për lidhje njerëzore në shpirt.
Ai kishte qenë djali më i bukur dhe pastaj burri më i bukur që gratë kishin njohur. Nuk kisha dëgjuar më parë gra të flisnin kaq hapur për një burrë të bukur. Gjithmonë ka diçka të papëlqyeshme te një mashkull për të qenë idoli i të gjithave, por ai ishte vetëm i bukur, gjithandej, krejt, i bukur. Për të gjitha. Ishte aq i bukur sa atyre u dhimbte kujtimi. A nuk ishte vërtet kështu? Më pyeti Adlia.
Po, iu përgjigja unë, megjithëse e pata njohur shumë vonë, kur u kthye nga internimi. Ishte vërtet një burrë i hijshëm! Ta kishit njohur të ri, tha ajo, dhe dhimbje e mall i tërhoqën fytyrën...
Kishin qenë studentë të dy në aksion. Ai vazhdonte për inxhinieri, Adlia për arte. Ai ishte më i bukuri, Adlia kishte një bukuri që askush nuk e zotëronte dot, me atë gërshetin deri në bel...
Po më thoni, më thoni, tha pas pak, si shkoi jeta e atij njeriu, meqë e njihkeni nga afër?
Shumë keq Adlia, i thash unë, në vend që t’i thosha shumë e vështirë. U dënua për sabotim politik në fushën e kërkimeve inxhinjerike, besoj në atë të naftës, e internuan në Plug të Lushnjes dhe e shoqja, polakja e bukur, ajo që gjithmonë fluturonte rrugëve me biçikletë, u paralizua. Kishte një hipokondri të çuditshme, saqë mund të them, kur lëvizte, dukej si një manekin i shpartalluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›