E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elona Nallbani - “Po fitoj kohën e humbur nga jeta e tim biri”



Sonila Merolli

Teksa i kthehet kujtimeve 10 vite e kusur, i duket sikur ka kaluar një jetë e tërë nga ato momente aq kuptimplota njëherësh edhe të vështira për t’u pranuar. E kishte parafytyruar disa herë atë rol, por kur erdhi ashtu papritur, Elona Nallbani kuptoi se nuk ishte aspak e përgatitur për t’u bërë nënë. Jo, në momentin në të cilin gjendej. Një spektakël për të drejtuar, projekte baleti, me pak fjalë një karrierë mbi supe, kësisoj mëmësia nuk ishte në planet e 24-vjeçares. Andaj, kur e mbajti në krahë, shqetësimi i saj më i madh ishte t’i gjente një emër domethënës, ose me rrënjë në shqipe, pikërisht për këtë arsye për javë me radhë bebja e saj nuk kishte emër. Edhe kur ia gjeti një të tillë, nuk është se ishin të pandashëm. Për ironinë e fatit, balerina po përjetonte momentet më të bukura në skenën e TOB-it, me rolet më shënjues në balet dhe më tej studimet në Akademinë e Arteve. Ndryshe qëndrojnë punët sot, jo vetëm e lumtur që ai hyri aq herët në jetën e saj, por mbi të gjitha e gëzon fakti që ka pranë shokun më të ngushtë, por edhe konsulentin e besuar që nuk ia kursen kritikat kur nuk i pëlqen veshja e së ëmës..

Ju jeni një balerinë aktive në skenën e TKOB-it, linja perfekte ndërkohë që 10 vite të shkuara u bëtë nënë. A pengon një fëmijë karrierën e një balerine?
Fillimisht m’u duk sikur u përmbys jeta, dhe se karriera ime si balerinë do të merrte fund aty, pasi impenjimet ndryshojnë tërësisht drejtim. Mjafton fakti që je larg gjërave të rëndësishme. Asokohe isha e fejuar dhe punoja tek ‘Telebingo’, kuptohet reagimi im nuk ishte aspak me britma gëzimi. Tani që e rikthej mendimin, nuk isha dhe aq vogël. Për profesionin tonë nëse do të kesh një fëmijë, është mirë para të 30-ve, pasi e ke më lehtë të rikuperosh format fizike.
Ju kujtohet momenti kur u bëtë nënë? Si e pritët?
T’ju them të drejtën kam qenë konfuze dhe e stresuar, duke qenë se ai erdhi pa papritur. Nuk isha gati dhe nuk kishte fituar ideja se tani jam prind, jo gjithmonë je i përgatitur. Mu desh ca muaj që të mësohesha se nuk jam vetëm unë.
Më pas prioriteti mes mëmësisë dhe karrierës, kur dhe si vendosët ekuilibrin?
Kam pasur fatin që mamaja e bashkëshortit jetonte me ne. Ajo është marrë me Martin edhe kur duhej ta lante. Deri në moshën tre vjeçe, Marti kishte një raport shumë të fortë me të atin. Madje edhe njëherë që pësoi një aksident, ku theu krahun tha o babi! Kam humbur çaste nga jeta e tij, kur punoja në televizione, pasi është e pamundur mos humbësh pak. Por pas atij incidentit fillova t’i largoja pasiguritë, pas kësaj moshe i mora frenat si mama.
Kush ja ka vënë emrin djalit?
Emri i Martit mbart një histori më vete. Për javë me radhë e kam lënë pa emër, e kam shumë të rëndësishëm duhet të jetë domethënës ose absolutisht shumë shqiptar. Isha velur me emrat e huaj, kështu që doja një emër shqiptar dhe e lashë Martin nja tre javë pa emër, nuk e regjistroja. Ortaku i bashkëshortit më kishte çuar një emër, me letër Mart, në dialektin e veriut ‘i marti’ domethënë i mbarë në dialekt, për më tepër vjen nga emrat malësorë. Ndërsa më vonë po shfletoja librin e emrave ndërkombëtarë dhe Marti ishte princi i luftërave.
Si e kujtoni ditën e parë të tij në shkollë?
Ditës së parë të shkollës, i parapriu një debat se te kush shkollë do ta çonim. Kur e çuan në shkollë më dilnin lotët, teksa unë i përmbaja, se m’u kujtua ime më kur më çoi në shkollë. Unë si fëmijë frikacak qaja edhe ajo qante nga përtej xhamit. Për çudi ai nuk qau, përkundrazi e priti shumë mirë ditën e parë të shkollës. Isha përgatitur si djalë të vinte vetë pa çantë pa libra, me të gjitha librat dhe me ndjenjë përgjegjësie.
Ka marrë nga ju Marti?
Të hënën dhe të martën i ka ditë të zeza si unë, ndërsa mesi i javës e më tutje ne shkëlqejmë të dy. Fizikisht është kopje e të atit, kanë një ngjashmëri shumë të madhe. Si karakter është i përpunuar. Marti është me humor dhe me ironi, ka marrë pak nga mua. Mundohem t’i japë më të mirën, pa dashje del ndonjë gjë që edhe nuk të pëlqen.
Marti është në pragun e adoleshencës. Cilat janë disa problemet e moshës?
çudia më e madhe është se më i vogël kur e ngacmonin ke ndonjë shoqe, thoshte nuk kam shoqe, po donte vëlla. Tani vonë më pohoi se ka dy shoqe më të mëdha se vetja. I kanë filluar preferencat e moshës, megjithatë kjo nuk më shqetëson. Ne kemi shumë koifidenca, jemi dy shokë të mirë që ndajmë mendime, por edhe shkëmbejmë fjalë ndonjëherë. Pastaj pjesa më komike e raportit tonë është kur më jep këshilla për veshjen. Ato janë të tipit ‘O ma sot je vesh si katunare...” , apo ‘ këpucët nuk të shkojnë fare’. Jo gjithnjë i marr për bazë kritikat, po më pëlqen që po krijon shijen e tij. Kohët e fundit ka filluar të kërkojë llogari në telefon ‘kur do vish? Sa do vonohesh?, prapë do dalësh edhe në fundjavë?,..e kësi gjërash. Megjithatë, nuk është fëmijë që të bezdis, po ja argumentove e kupton, edhe kur gabon, reflekton dhe thotë se e kuptova.
Ku merrni rolin e mamit?
Shoqëria mes nesh ka pasojat e veta, pasi vjen një moment kur do të bësh autoritaren, është shumë e vështirë. Megjithatë, jam personi i vetëm që kam autoritet absolut. Reagoj por jo me të bërtitura, nuk mund të bëj prindin pa defekte se krijon çarje në marrëdhënien tonë. ‘Reprezalja’ e fundit që mund t’i bëjë është që ta harrojë takimin me mua, pasi kohët e fundit dalim shpesh më të dhe i përshtatem vendeve dhe kushteve që do ai. Ky është kërcënimi i fundit...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›