E Diel, 1 Nëntor 2026

Mimoza Llastica, vajza që nuk u llastua kurrë në jetë

11/12/2008  Aktorja e vogël që e luajti me shumë talent këtë rol, u bë e njohur për të gjithë publikun shqiptar, edhe pse emrin e vërtetë të saj pakkush e di. Zhaklina Dhimojani, 37 - vjeçarja që e vuan mungesën e roleve në filma dhe që i gëzohet krijimit të familjes së re...

Tridhjetë vjet më parë një grup kineastësh shumë të njohur shqiptarë xhironin një film për fëmijë në rrethinat dhe ambientet e një pallati në qendër të Tiranës, ose pikërisht në pallatin pranë të cilit ndodhet sot Posta Qendrore.

Filmi titullohej “Mimoza Llastica” dhe në këtë rol kishte si protagoniste kryesore një vajzë të vogël 7-vjeçare, me dy bishtaleca në kokë të lidhur me fjongo dhe me pamje e sjellje prej një fëmije të llastuar. Gjithsesi, ky film u bë shumë i dashur dhe i preferuar për të gjithë fëmijët dhe të rriturit në ato vite.

Aktorja e vogël që e luajti me shumë talent këtë rol, u bë e njohur për të gjithë publikun shqiptar, edhe pse emrin e vërtetë të saj pakkush e di.

Ndoshta ngaqë ishte i vetmi rol që luajti gjatë gjithë jetës së saj, të gjithë e njohin si “Mimoza Llastica”. Vajza që njihet me këtë nofkë sot është 37-vjeçe. Emri i saj i vërtetë është Zhaklina Dhimojani. Ka një finesë dhe sharm shumë femëror, një pamje gati engjëllore. Nuk është aspak e vështirë të kuptosh natyrën e saj të sinqertë, krejt ndryshe nga ajo e filmit që ka luajtur. Është një vajzë e thjeshtë dhe me shumë botë. Duket se në dëshirën për t’iu rikthyer viteve të fëmijërisë ajo ruan shumë mbresa nga roli i saj i parë dhe i fundit në këtë film.

“Ka qenë një nga momentet më të bukura të jetës sime, - kujton me nostalgji Zhaklina. - Atëherë isha në klasën e parë, në shkollën 8-vjeçare «Alqi Kondi». Isha vetëm një fëmijë dhe shumë gjëra kohë nuk mund t’i kuptoja. Prania ime në kinemanë shqiptare ishte krejt një rastësi, por edhe një fat.

Më kujtohet se një ditë, kur kthehesha nga shkolla, pashë që ishin grumbulluar shumë njerëz në rrugë. Afrohem edhe unë pranë atij grumbulli njerëzish dhe shikoj se po xhirohej një film. Me kureshtjen e një fëmije, afrohem më pranë për të parë se çfarë po ndodhte me ata fëmijë përballë objektivit të kamerës. Në një çast pushimi regjisorja Xhanfise Keko më vështron me vëmendje, afrohet dhe më thotë: «Ti vajzë i përshtatesh shumë figurës kryesore, a vjen të të marrim në film?» Për një çast u ndieva shumë ngushtë, por nga dëshira e madhe pohova me kokë. Të nesërmen ajo vjen në shkollë, në klasën time dhe më merr për të bërë një kinoprovë. Në fillim regjisorja më shpjegoi rolin që do të luaja dhe esencën filmike... Kinoprova doli me sukses dhe u vendos që atë rol do ta luaja unë. Pas pak ditësh filluan xhirimet. Që nga ajo ditë ndieja se njerëzit që më rrethonin dhe grupi i xhirimit ishin shumë të interesuar për mua. I gjithë stafi i punës shqetësohej qoftë edhe kur në buzë më dilte një puçërr e vogël. Çdo ditë që kishim xhirime vinin dhe na merrnin në shtëpi me një makinë të vogël tip ‘Gaz’.

Një herë isha inatosur, sepse erdhën e më morën të fundit nga fëmijët e tjerë që merrnin pjesë në rolet episodike. Shtëpia ime ndodhej pranë Lanës. Unë nuk e kuptoja që në fillim merreshin ata që e kishin shtëpinë më afër. E inatosur siç isha, futem poshtë Lanës dhe i detyroj që të zbresin të gjithë nga mikrobusi për të hipur unë e para... Dhe kështu ndodhi. Zbritën të gjithë dhe e para hipa unë. Që nga ajo ditë ata vinin dhe më merrnin mua gjithmonë të parën.

Ndryshe nga fëmijët e tjerë, kjo gjë më bënte të ndihesha mirë dhe e privilegjuar. Jo se isha e përkëdhelur, nuk bëhet fjalë aspak për një gjë të tillë. Prindërit e mi ishin të rreptë me mua. Por vetvetiu seç lind një ndjesi, që natyrshëm fëmija e provon kur bëhet objekt i vëmendjes për të tjerët, dhe ai rol gjeti një spacio tek unë. Shpeshherë isha e detyruar të lija edhe orët e mësimit, kur vinin në shkollë të më merrnin për xhirime.”

Zhaklina kujton kontaktin e parë me aktoren Pavlina Mani. Ajo luante rolin e nënës së saj në atë film. “Ishte një grua mjaft e bukur, që më bëri shumë për vete, - thotë ajo. - Pasi mbaroja xhirimin, shkoja me vrap në shtëpi dhe krahasoja mamin tim me Pavlinën. Sa shumë dëshiroja që ajo t’i ngjante asaj! Por kjo ishte e pamundur. Ishte një dëshirë absurde, që mund ta ketë vetëm një fëmijë...”

“Por jo çdo gjë shkonte mirë gjatë xhirimit të filmit, - vijon rrëfimin Zhaklina. - Kishte raste kur xhirimet ndërpriteshin për fajin tim... Një herë gjatë xhirimit duhet të qaja, por nuk qaja dot. Xhirimet u ndërprenë disa herë dhe regjisorja Xhanfise Keko e kishte të pamundur të vazhdonte punën. Ajo e shqetësuar vjen në shtëpi dhe i thotë mamit tim: «Çfarë t’i bëjë asaj vajze që ta bëj të qajë?» Nuk mbaj mend se çfarë i tha mami, por di që regjisorja diçka më tha dhe unë nisa të qaja me dënesë...”

Duke treguar këtë episod për regjisoren e mirënjohur, Zhaklina nuk mund të mos shprehë simpatinë, mirënjohjen dhe respektin e thellë për Xhanfise Kekon, prej së cilës ka mësuar shumë e shumë gjëra. Vlerëson te kjo grua dhe artiste e madhe personalitetin e saj artistik, si nënë dhe njeri...

Xhirimet e filmit “Mimoza Llastica” filluan në dimër dhe përfunduan në verë të vitit l973. “Kur u shfaq për herë të parë si premierë, kuptova se protagonistja kryesore në këtë film isha unë, Zhaklina.”

Më pas ky film u dha në të gjitha kinematë e vendit dhe ishte më i pëlqyeri në atë kohë nga të gjithë, në veçanti nga fëmijët...

Që atëherë fëmijëve të përkëdhelur mamatë e tyre u thoshin: “Mos u bëj si Mimoza Llastica...”

“Ndihesha edhe keq, edhe mirë. Sepse kisha arritur ta realizoja bukur atë rol”, - thotë e emocionuar Zhaklina Dhimojani.

Kur Zhaklina ndihej pak më e rritur, kuptonte se që fëmijë kishte mundur të kishte si partnere në këtë film artiste të mëdha, siç ishin Violeta Manushi (në rolin e gjyshes) dhe Pavlina Mani (në rolin e nënës).

Ajo gjithnjë aktivizohej në spektakle dhe veprimtari të ndryshme artistike në shkollë dhe jashtë saj.

Në mendjen dhe shpirtin e vajzës adoleshente, kishin lindur plot dëshira dhe pasione. Pas filmit të parë iu ofruan të tjera role nga kineastët dhe regjisorët tanë.

“Ishte një rol që duhej ta luaja në filmin «Përtej mureve të gurta», por më duhej të shkoja me xhirime në Shkodër dhe në Elbasan. Por duke qenë se prindërit e mi ishin konservatorë dhe me paragjykime, nuk me lejuan të shkoja. Ata filma nuk munda t’i realizoja asnjëherë... Dëshira ime për t’u bërë një artiste kinemaje ishte një yll që u shua dhe nuk u ndez më kurrë. Ajo që më jepte shpresë dhe më ngrohte shpirtin ishin vetëm dritat e skenës. Gjithnjë e vuaja, e vuaja gjer në dhimbje mungesën time në rolet e filmave, por mjerisht s’kisha çfarë të bëja...

Sa herë që ndiqja nëpër kinema artistët e rinj, ndihesha vërtetë keq. Isha e pafuqishme përballë të gjithëve, sepse gjërat ishin vendosur nga të tjerët, jashtë dëshirës dhe vullnetit tim. ‘Loja’ ishte bërë dhe më dukej gota gjysmë e zbrazur. Duhej t’i nënshtrohesha fatit...

Pasi përfundova shkollën e mesme ekonomike, vazhdova Fakultetin Ekonomik, dega financë. Kjo ishte dëshira e prindërve të mi. Nuk ndihesha aspak e kënaqur me këtë profesion, pasi gjithë ditën do të merresha me mbushjen e faturave.”

Familja e Zhaklinës përbëhej nga gjashtë pjesëtarë. Babai i saj, Pirroja, nënë Aishja, dy vëllezërit, Kreizi dhe Frenku, si edhe motra e saj Regova. Të gjithë ishin më të vegjël dhe i takonte asaj të kujdesej, si motra më e madhe.

“Në verën e vitit l990 u nisa për në Greqi. Atje qëndrova për afro dy muaj pranë gjyshit tim, - vazhdon rrëfimin e saj Zhaklina. – Por edhe atje nuk mund të qëndroja më gjatë. Sërish u ktheva në Shqipëri. U ktheva në një kohë kur të gjithë shqiptarët iknin... Iknin dhe vetëm iknin nga Shqipëria, pa e ditur se ku dhe pse!

Ishte koha kur Shqipëria po pësonte ndryshime të mëdha politike. Vendi po përjetonte një kaos të vërtetë. Megjithatë, u ktheva. U ktheva në emër të dashurisë për djalin që doja. E kisha njohur që kur ai studionte në Fakultetin e Inxhinierisë.

Me këtë djalë kisha një histori dashurie... Një dashuri që s’mund të quhej kurrë dashuri e vërtetë. Do ta quaja më mirë një dramë dashurie. Po, e vërtetë. Ajo ishte një dramë e vërtetë e dashurisë sime të pastër, që zgjati plot tetë vjet. Tetë vjet me shpresa dhe zhgënjime, ndarje dhe bashkim, brenga dhe vuajtje!...

Shpeshherë me dukej vetja se kisha ardhur rastësisht në këtë botë. Herë-herë ndieja dëshirën të rikthehesha në vitet më bukura të fëmijërisë për të injoruar dhe shpërfillur të gjitha të këqijat e kësaj bote... Pikërisht mes kësaj dileme vendosa ta zgjidh vetë fatin tim. Njeriu që dashuroja më mundësoi vajtjen time në Itali së bashku me familjen, por duke i ndërprerë përfundimisht marrëdhëniet me të.

U vendosëm për të banuar në Como të Italisë, në kufirin midis Italisë dhe Zvicrës. Aty fillova punë si përkthyese në një zyrë për refugjatët shqiptarë. Punova afro dhjetë vjet në atë vend: nga viti l99l deri më 2002. Gjatë kësaj periudhe u njoha edhe bashkëjetoja me një djalë nga Italia. Ai banonte në Como, në atë vend ku ndodhesha edhe unë me familjen time. Duheshim shumë me njëri-tjetrin dhe mundëm të sillnim në jetë edhe një fëmijë. Vajzës që lindi ia vumë emrin Aleksandra. Ai më donte shumë. Shpesh më thoshte që të martoheshim, pasi shpresonte për një gjë të tillë nga vajza që kishim. Por në konceptin tim tashmë nuk ishte gjithçka fëmija për të realizuar këtë lidhje martesore.

Në fund të fundit, më pëlqente të isha e pavarur ekonomikisht, por edhe nga ana e profesionit. Përvoja jetësore më kishte mësuar shumë gjëra, ndaj duhej të mendohesha mirë për të marrë një vendim kaq të rëndësishëm siç ishte martesa. Nëpërmjet njerëzve të punës u njoha më në fund me njeriun që vërtet do të fitonte zemrën time. Ai ishte zvicerani Stefan Blater, një jurist me profesion, që ka studiuar në Fakultetin e Drejtësisë. Sot ai është një funksionar i rëndësishëm në shtetin e tij.”

Ditën kur Stefani u njoh me Zhaklinën, ai e pranoi atë si bashkëshorten e tij të ardhshme, ndërsa Aleksandrën si bijën e tij, edhe pse vajza ishte kundër kësaj martese.

Por gjatë ceremonisë së martesës menjëherë Aleksandra kishte ndryshuar mendjen. Ajo ia “rrëmbeu” vulën nëpunësit të lidhjeve martesore dhe e vendosi e para atë vulë në aktin e celebrimit.

Zhaklina flet me shumë simpati për bashkëshortin e saj zviceran. E konsideron atë tepër tradicional. Ai është shumë xhentil dhe i dashur në marrëdhënie me të. Edhe pse Stefani dëshiron të ketë një tjetër fëmijë me Zhaklinën, sërish ai ka vendosur të respektoj dëshirën e Aleksandrës, pasi ajo ndihet keq.

Ajo është në klasën e dytë dhe është tepër inteligjente. Zotëron mjaft mirë italishten, frëngjishten, gjermanishten, por di pak edhe shqip.

Aleksandra është një fëmijë tepër e preferuar për agjencitë e modës për fëmijë në Milano të Italisë.

Ajo ka një të ardhme të shkëlqyer. Një të ardhme që premton shumë. Mamaja e saj ndihet tepër e sigurt në udhën e saj drejt suksesit. Për këtë arsye Zhaklina Dhimojani, “Llastica” e filmit, që nuk ishte e tillë në jetë, sot ndihet e qetë dhe e gëzuar për bijën e saj, por edhe për familjen e re që ajo sapo ka krijuar…

(Autori është drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›