Autoriteti i Kontrollit Ushqimor, inspektim për produktet e skaduara
Anilejda Shëmbitraku
Autoriteti i Kontrollit Ushqimor në Shqipëri (AKU), kryen inspektime në bazë të një plani vjetor, i cili miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme dhe përfshin të gjitha qarqet e vendit ku Autoriteti ka përfaqësitë e tij, të cilat gjithsej janë 12. Burime nga AKU kanë deklaruar për gazetën “Albania” se nga kontrollet dhe inspektimet e vazhdueshme në bizneset e produkteve ushqimore janë konstatuar, përveç të tjerash, edhe operatorë të biznesit ushqimor, kryesisht magazina, të cilat kanë në gjendje produkte të skaduara, të destinuara për t’u hedhur në treg për konsum.
Masat
Sipas këtyre burimeve, në shumicën e këtyre rasteve AKU ka ndërhyrë duke i asgjësuar këto produkte të dëmshme për shëndetin e njeriut duke i hequr nga tregu. Gjithashtu, në disa raste, kur janë vënë re edhe shkelje të tjera të tilla, si mungesë të etiketave, kundëretiketave apo edhe shkelje të tjera që janë konsideruar si me risk potencial të lartë për konsumatorin, janë marrë masat përkatëse administrative sipas ligjit të ushqimit. Sipas AKU-t, raste të tilla të tregtimit të produkteve ushqimore me afat skadence të kaluar në magazinat ushqimore po rrallohen dhe kjo jo vetëm falë kontrolleve dhe pranisë konstante të AKU-t, por dhe të vetë operatorit të biznesit ushqimor, i cili po fillon të ndërgjegjësohet për mostregtimin e tyre. Nga ana tjetër, AKU do të jetë i pranishëm me anë të kontrolleve, të cilat nuk përqendrohen vetëm në marrjen e masave administrative, por një pjesë shumë e rëndësishme është dhe lënia e detyrave për zbatim te biznesi ushqimor, si dhe kontrolli i herëpashershëm për zbatimin e tyre.
Kontrollet
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, gjatë gjithë kohës vazhdon të kontrollojë sektorin e bizneseve ushqimore. Në bazë të planit të punës të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-t, i cili është shtrirë në të gjitha qarqet e Shqipërisë, ky institucion ka organizuar inspektime në operatorët e biznesit të fushës së tregtimit të produkteve ushqimore (shitjes me pakicë), të magazinave ushqimore (shitjes me shumicë) dhe të prodhuesve të produkteve ushqimore. Për të qenë më konkret, nga kontrollet e ushtruara në qarkun e Tiranës, Elbasanit, Lezhës, Fierit, Kukësit, Korçës, Gjirokastrës, Vlorës, Durrësit e Dibrës, janë inspektuar një sërë supermarketesh të mëdha, kompanish të prodhimit të produkteve me origjinë shtazore e magazinash që tregtojnë mallra ushqimore më shumicë dhe janë vërejtur problematika të llojeve të ndryshme.
Problemet
Çfarë ndodh në magazinat ushqimore
1- Produkte ushqimore të importit të paetiketuara në gjuhën shqipe.
2- Higjiena e personelit mungon.
3- Magazinimi i produkteve ushqimore bëhet në kushte jo të mira higjienike.
4- Menaxhimi i mbetjeve nuk bëhet në mënyrën e duhur.
5- Nuk ka plan kontrolli për brejtësit.
6- Gjenden produkte që u ka kaluar afati i kadencës.
7- Biznese të palicencuara.
Sekuestrimet
Masat ndaj bizneseve shkelëse
Nga shkeljet e vërejtura, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka sekuestruar dhe asgjësuar rreth 3 mijë litra lëngje jo të sigurta, të cilat konsistojnë në pije freskuese, lëngje limoni e vaj ulliri, të cilave ose u kishte kaluar afati i përdorimit, ose kanë rezultuar të dëmshme pas analizave laboratorike. E njëjta procedurë, pra ajo e sekuestrimit dhe asgjësimit, është ndjekur edhe me rreth 50 kuintalë produkte ushqimore të skaduara, të ruajtura e të tregtuara në kushte të papërshtatshme, të cilat mund të bëhen shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme, të tilla si koka qengji, qofte të paketuara, sallam, biskota, makarona, çokollata etj.
Konsumatorët
Sipas AKU-t, problemi kryesor dhe më i rëndësishëm që ekziston në stadin aktual të garantimit të sigurisë ushqimore në vendin tonë, është ndërgjegjësimi i vetë konsumatorit për produktet që ai blen. AKU i bën thirrje çdo konsumatori të jetë i kujdesshëm e selektiv në mallrat për konsum, duke parë me vëmendje etiketën e produktit, të shikojë datën e skadencës dhe të zgjedhë produkte të shëndetshme për mirëqenien e tij. Duke qenë vetë konsumatori filtri kryesor i produkteve të shëndetshme, ose jo të shëndetshme, është më e lehtë për të gjitha hallkat e mëtejshme të garantimit të sigurisë ushqimore për të sjellë në tryezën e gjithsecilit ushqime e produkte të sigurta. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë prizëm, është një derë e hapur për çdo konsumator apo operator të biznesit ushqimor, për të pritur, dëgjuar e ndjekur ankesat e denoncimet e tyre në lidhje më këtë çështje.
OBJEKTIVAT
Përparësitë e AKU-t për vitin 2011
1- Përmirësimi i sistemit të informimit. Me anë të këtij sistemi, Autoriteti arrin të marrë sinjale dhe të dhëna në kohë reale përsa u përket rreziqeve të ndryshme në tregun shqiptar të ushqimeve, duke ndërhyrë për të marrë masat e duhura.
2- Përmirësimi i procedurave të inspektimit.
3- Rritja e nivelit të inspektorëve me anë të trajnimeve të ndryshme.
4- Përmirësimi i njohurive përsa i përket operatorit të biznesit ushqimor. Pikërisht për këtë arsye, AKU ka filluar punën për një database me të gjitha bizneset, të cilat operojnë në vendin tonë dhe që merren me tregtimin, magazinimin dhe përpunimin e produkteve të ndryshme ushqimore.
5- Objektivi kryesor dhe përfundimtar i AKU-t mbetet ndërgjegjësimi i vetë konsumatorit shqiptar për ushqimet që ai çdo ditë konsumon.
17 Janar 2011