I la në derë mbesën, xhaxhai vret dhëndrin
01/02/2010 Policia 10 milionë për autorin
TIRANE- Një 30-vjeçar i komunitetit Rom është ekzekutuar me armë zjarri nga një person që tashmë është identifikuar nga policia e kryeqytetit dhe pritet që shumë shpejt të arrestohet. Viktima quhet Armand Hasani 30 vjeç nga Tirana dhe prej kohësh bashkëjetonte me një shtetase në zonën e quajtur “Xhamlliku”. Si motiv të këtij krimi policia ka përcaktuar një sherr të vjetër mes autorit të krimit dhe viktimës, të cilët herë pas herë janë grindur me njëri-tjetrin. Burimet thanë se shkak i sherrit ka qenë divorci i viktimës me gruan, pasi Hasani kishte zgjedhur të jetonte me një vajzë tjetër. Mirëpo kjo gjë ka irrituar xhaxhain e nuses Albert Dashin, i cili i ka kërkuar dhëndrit të mos kryejë divorcin. Kjo u bë sebep edhe ditën e djeshme që Armand Hasani dhe autori i krimit, të shkëmbejnë fjalë të ndërsjella. Në këto kushte autori i krimit ka nxjerrë nga çanta një automatik kallashnikov dhe ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit Hasani. Nga të shtënat është krijuar panik në zonë, ndërsa Armand Hasani është gjendur i shtrirë në mes të trotuarit të rrugës “Qemal Stafa”. Fill pas ngjarjes 35-vjeçari Dashi ka mundur të largohet me shpejtësi në rrugicat e lagjes, dhe aktualisht vazhdon ndjekja e tij nga blutë e policisë së Tiranës. Si shpërblim për informacion mbi vendndodhjen e tij, policia ka vënë një shumë 10 milionë lekë. Forca të shumta rrethuan vendin e ngjarjes ndërsa oficerët e krimit nisën hetimet për të zbuluar motivin dhe autorin e këtij krimi. Nga administrimi i deklarimeve të personave që ishin të pranishëm në vendin e krimit, policia arriti të identifikojë autorin e krimit dhe menjëherë filloi “krehjen” e zonës me qëllim arrestimin e tij. Ndërkohë që shumë efektiva kanë kaluar në “skaner” kazanët e plehrave, pasi dyshohet se gjatë largimit autori mund të ketë hedhur armën automatike aty. Aktualisht policia vazhdon marrjen e dëshmive të dëshmitarëve për të zbardhur mekanizmin e krimit, si dhe të dhëna të tjera rreth autorëve e motivit të vrasjes. Deri më tani mësohet se në komisariatin nr. 4 janë shoqëruar dhjetë persona, të cilët kanë dhënë informacion lidhur me rrethanat e ndodhjes së krimit dhe drejtimin e largimit të ekzekutorit.