Vret të dashurin e mbesës, s'e donin dhëndër

Armand Hasani, 30 vjeç, u vra dje pasdite me pistoletë, pas refuzimeve të tij për t'u ndarë me vajzën me të cilën bashkëjetonte
Policia arreston të dyshuarin në mbrëmje vonë në një apartament, ku iu bllokua edhe arma e krimit. Pranon vrasjen
TIRANE- Vret të dashurin e mbesës, pasi nuk ishte dakord me lidhjen e tyre. Armand Hasani, rreth 30 vjeç vjeç, banues në Tiranë në rrugën "Qemal Stafa", pranë zonës së njohur si Xhamlliku, mbeti i vdekur pasditen e djeshme rreth orës 17:40, kur një person e qëlloi me armë zjarri pistoletë disa herë, duke e lënë të vdekur në vend.
Viktima i njohur edhe me nofkën Armand Buzderri qëllua nga afër nga një person të cilin policia e identifikoi me emrin Albert Dashi, 35 vjeç, i njohur edhe me nofkën Bert Qorri, për shkak se ishte i dëmtuar në njërin prej syve. Në mbrëmje vonë, rreth orës 22:30, policia arrestoi autorin e krimit, në një banesë në rrugën "Myslym Keta", pranë ish- ndërmarrjes "Rruga Ura".
Viktima është mbajtur për më tepër se 10 minuta me pistoletë në kokë, nga autori i krimit i cili kërcënonte dhe shante viktimën e tij, në rrugë. Kjo situatë shkaktoi panik dhe frikë tek kalimtarët, të cilët lajmëruan policinë, për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur në rrugë në prani të shumë njerëzve, pavarësisht shiut që binte.
Shkak për ngjarjen, mësohet se ka shërbyer lidhja e viktimës, Hasanit, me mbesën e Albert Dashit, autori i dyshuar i vrasjes së djeshme.
Mbesa e Hasanit mësohet se prej disa ditësh ishte larguar nga shtëpia dhe se nuk kthehej në familje dhe kisht nisur të bashkëjetonte me të vrarin e djeshëm.
Kjo ka acaruar palët, për shkak se familja e vajzës, nuk kishte dëshirë që ajo të mbante lidhje me Hasanin. Ky i fundit, sipas banorëve të lagjes, shpesh herë ishte objekt i shoqërimeve të policisë lidhur me dyshime të ndryshme për vjedhje e krime të lehta.
Sipas burimeve të policisë, ky i fundit në mënyrë të vazhdueshme i bënte shantazh Hasanit, që të ndahej prej saj, në të kundërt, sipas burimeve të policisë, ky ka vazhduar edhe më tej lidhjen.
Dëshmitarë të ndryshëm kanë parë që për disa minuta Bert Qorri mbante Hasanin, me pistoletë në kokë dhe rreth dhe dhjetë minuta më pas, Dashi shkrehu mbi pengun e tij, thuajse të gjithë krehërin e fishekëve që kishte me vete, ndërsa Hasanin e kane zënë së paku tre plumba në kokë.
Në momentin kur është ndaluar nga autori i krimit në rrugë, viktima po kthehej në banesën e tij, ndërsa pak orë më parë kishte mbyllur punën në një lavazh automjetesh ku ai punonte prej kohësh. Ai ishte drejtuar për në Kodrën e Prifitit, zonë në të cilën ai banonte prej disa kohësh, ku edhe kishte marrë një shtëpi me qera me familjen e tij.
Policia ka mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes sapo është njoftuar për situatën dhe ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e saj. Nga hetimet e para, policia ka identifikuar fillimisht viktimën me emrin Armand Buzderri, nisur nga thëniet e të rinjve të lagjes që e njihnin viktimën me nofkën e tij.
Pas dëshmive të ndryshme të marra policia ka identifikuar autorin e mundshëm të ngjarjes i cili ishte një prej të afërmëve të një vajze e cila kishte lidhje intime me Hasanin.
Pasi kanë mësuar emrin e tij dhe kanë marrë dëshmi të ndryshme, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Albert Dashin, 35 vjeç, banues jo shumë larg vendit të ngjarjes.
Shërbimet e policisë së komisariatit nr.4, të njësisë së operacioneve speciale dhe të zyrës së hetimit të vrasjeve, kanë kryer krehje të zonave ku mendohej se fshihej i dyshuari i krimit. Ai është kapur disa orë pas ngjarjes nga policia ndërsa ai vetë ka pranuar autorësinë e krimit.
Viktima
Armand Hasani 30 vjeç
Autori i dyshuari i vrasjes
Xhemal Dashi, 35 vjeç, lindur e banues në Tiranë.
1 milionë lekë të reja është shuma që Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës vuri në dispozicion të informatorëve me qëllim dhënien e informacionit të saktë mbi vendndodhjen e mundshme të të dyshuarit, menjëherë pas krimit të rëndë të ndodhur pranë Xhamllikut, i cili u kap disa orë më vonë.
2 numra telefoni ka vënë në dispozicion të informatorëve të ndryshëm policia me qëllim njoftimin e të dhënave të mundshme mbi lëvzijet e Albert Dashit në kryeqytet, gjatë mbrëmjes së djeshme. Numrat e telefonit të dhënë nga policia janë 129 dhe 069 41 10 202, ndërsa pohohet se garantohet anonimati i telefonuesit.
Policia vë shpërblim për "kokën" e autorit
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e djeshme në rrugën "Qemal Stafa", pranë Xhamllikut, policia e kryeqytetit vuri një shpërblim për njeriun që do të informonte policinë mbi vendndodhjen e mundshme të autorit të dyshuar të vrasjes.
Një vendim i tillë është marrë menjëherë pasi policia kishte identifikuar të dyshuarin e krimit nisur nga dëshmitë e marra nga persona të ndryshëm okularë në vendin e ngjarjes. Ndërkaq, vendimi për vënien e shpërblimit është marrë nga policia nisur nga fakti se autori përbënte rrezikshmëri të lartë duke qenë se ishte edhe i armatosur me një armë "Pistoletë".
Ndërkaq, shërbimet e policisë së kryeqytetit kanë ngritur posblloqe të ndryshme për të gjetur dhe zbuluar të dyshuarin e mundshëm të krimit të rëndë. Në vendin e ngjarjes fillimisht policia bllokoi rreth 15 persona të ndryshëm të cilët më pas bënë që policia të merrte dëshmitë e saj në lidhje me rrethanat e krimit dhe vrasësin gjakftohtë.