E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minat-celular, Prokuroria liron të arrestuarin: S’ka lidhje me plagosjen

SHKRUAN: Leonard Bakillari 09-03-2011 15:18

Tiranë Dy ditë pas operacionit që sekuestroi “punishten” e minave-celular, Prokuroria e Tiranës vendosi të lirojë njërin prej të arrestuarve. Artan Hasani, i arrestuar si bashkëpunëtor i pronarit të banesës, ku u sekuestruan pajisjet dhe minat që dyshohet se janë përdorur në disa atentate, është liruar dy ditë më parë, pasi nga hetimet e prokurorisë rezultoi se nuk ishte i implikuar në këtë veprimtari. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Prokurorisë, të cilat thanë se 38-vjeçari i arrestuar fillimisht për plagosjen e shokut të tij, nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e ndodhur më 3 shkurt, kur mbeti i dëmtuar me armë zjarri, Endri Hametaj. Po ashtu, hetimet e para nuk kanë treguar asnjë lidhje mes tij dhe punishtes së minave me celular, e cila ishte vendosur në apartamentin e një tjetër të arrestuari për këtë ngjarje, 28-vjeçarit Endri Hametaj. “Nga hetimet e kryera, por edhe nga verifikimet e policisë, nuk rezulton që Artan Hasani të jetë implikuar në veprimtarinë e prodhimit të minave. Për këtë arsye, me vendim të prokurorit, ditën e hënë është vendosur lirimi i tij” - thanë burime zyrtare. Sipas tyre, mësohet se përveç faktit që dy të arrestuarit kishin njohje mes tyre, nuk ekziston asnjë provë tjetër që mund të lidhë Hasanin me minat me celular. Gjithashtu, nuk është provuar se 38-vjeçari ka qëlluar shokun e tij më 3 mars, duke i shkaktuar disa plagë me armë zjarri. Ky dyshim është hedhur poshtë, edhe nga vetë i plagosuri, i cili gjatë deklarimeve të dhëna për hetuesit në ambientet e Spitalit Ushtarak, ka pranuar njohjen me Hasanin, por nuk e ka akuzuar atë për plagosjen. Burimet thanë se i plagosuri ka deklaruar se nuk ka qenë Artan Hasani ai që ka qëlluar ndaj tij, edhe pse nuk ka qenë në gjendje të identifikojë autorin e ngjarjes së 3 marsit. Për të gjitha këto arsye, prokuroria ka vendosur të lirojë 38-vjeçarin, pa e dërguar për masë në Gjykatën e Tiranës. I vetmi i dyshuar, për prodhimin e bombave që telekomandoheshin në distancë është Endri Hametaj, i cili ditën e djeshme është përballur me masën e sigurisë në ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë, ku qëndron prej disa ditësh. Sipas burimeve mësohet se gjyqtari i gatshëm, Ervin Pollozhani, i asistuar nga sekretarja gjyqësore dhe me praninë e prokurorit, kanë zhvilluar masën e sigurisë në një prej dhomat e Spitalit Ushtarak. Përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar nga gjyqtari caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj 28-vjeçarit, Endri Hametaj, për disa akuza të rënda, që dyshohet se janë kryer prej tij. Ai po hetohet për të akuzat e “vrasjes me dashje”, “trafikimit të armëve dhe municioneve” si dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Pasi dëgjoi kërkesën e prokurorit, si dhe provat respektive, të cilat u referohen të gjitha sendeve të sekuestruara në banesën e tij, gjyqtari ka vendosur të caktojë masën e sigurisë arrest me burg ndaj 28-vjeçarit.

“Arkitekti” i minave-celular refuzon të flasë

I arrestuari Endri Hametaj, i cili ndodhet nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave të policisë, nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim para gjykatësit, për akuzat e ngritura nga prokuroria. Gjatë operacionit të koduar “Celulari”, policia e Tiranës arriti të sekuestrojë një arsenal të tërë armësh e mjetesh, të cilat dyshohet se janë përdorur për prodhimin e minave që komandoheshin në distancë. Sipas hetimeve të para të policisë, rezultoi se i arrestuari, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë që janë nën hetim, dyshohen se janë autorë të disa ngjarjeve të rënda të ndodhura në Tiranë, duke përdorur lëndë eksplozive, të cilat aktivizoheshin në distancë nëpërmjet aparatit celular. Pas lirimit të Hasanit, i vetmi që është nën hetim për këtë veprimtari që dyshohet se përfshin disa atentate me eksploziv në kryeqytet është 28-vjeçarit Endri Hametaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›