RENEA kap në Tiranë kreun e trafikut të 1 ton kanabis
Tiranë Arratia nga Gjirokastra drejt Tiranës e 41- vjeçarit Ardjan Halili ka zgjatur veçse pak ditë, pas dështimit të trafikimit të 1 ton kanabis. I akuzuari si kreu i trafikut ka përfunduar në pranga, dje në kryeqytet, falë një operacioni të forcave RENEA. “Strukturat e Hetimit të Krimeve dhe forcave speciale të RENEA-s kanë arrestuar të shumëkërkuarin Ardjan Halili nga Tepelena. Ai ishte shpallur në kërkim fill pas kurorëzimit të operacionit Koordinata”, - bëjnë të ditur burime nga Policia e Tiranës. Prej disa ditësh, Halili ishte strehuar në Tiranë, duke qëndruar i fshehur në një hotel pranë Fakultetit të Ekonomikut. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se prej policisë ishte marrë njoftimi se Halili fshihej në Tiranë dhe ishin vënë menjëherë në ndjekje dhe në vëzhgim të tij. Pasi kishin arritur të identifikonin vendndodhjen e saktë të Halilit, ishin efektivët e RENEA-s ata që ndërhynë paraditen e djeshme, në lokalin e një hoteli pranë zonës së Fakultetit të Ekonomikut dhe bënë të mundur arrestimin e tij. Vetë i arrestuari nuk ka bërë asnjë rezistencë gjatë momentit të operacionit dhe i është bindur urdhrit të efektivëve të RENEA-s. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit mësohet se në datën 6 shkurt të këtij viti është realizuar faza e parë e operacionit të koduar “Kordinatat”. Në bazën e informacioneve të siguruara, se nga fshati Lazarat është nisur një pjesë e ngarkesës, me një automjet tip Tuareg, efektivët e policisë kanë ngritur shërbime kontrolli në rrugën kombëtare Gjirokastër- Jorgucat. Rreth orës 18:00, në dalje të fshatit Lazarat, u konstatua automjeti Fuoristradë, tip Volsvagen Tuareg, me targa TR 81 94 R, në pronësi të Ardjan Halilit, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë, duke lëvizur në drejtim të Sarandës. Në këtë situatë, agjentët antidrogë, të mbështetur edhe nga kolegët e tyre të Policisë Kufitare dhe Qarkullimit Rrugor, janë vendosur në ndjekje të mjetit. Ndërsa automjeti lëvizte me shpejtësi, ndjekja në distancë e policisë ka vijuar përgjatë gjithë rrugës kombëtare në zonën e Jorgucatit. Në momentin që ka konstatuar praninë e efektivave të policisë, drejtuesi i mjetit ka manovruar fuoristradën, duke u kthyer mbrapsht, në drejtim të qytetit të Gjirokastrës. Për t’i “shpëtuar” postblloqeve të shumta të policisë, automjeti është futur në fshatin Goranxi, për të përfunduar në një rrugicë të tij. Sipas drejtorit të policisë në Gjirokastër, shoferi ka braktisur fuoristradën dhe duke përfituar nga errësira është larguar në thellësi të zonës malore të fshatit. Gjatë këqyrjes së automjetit, policia konstatoi se në të ndodheshin rreth 180 kilogramë lëndë narkotike mariuanë. Ndërkohë faza e dytë e këtij operacionit është zhvilluar mbrëmjen e datës 7 shkurt, në rrugën kombëtare Gjirokastër-Sarandë, ku u bllokuan 820 kilogramë të tjera, duke e çuar në 1 ton, sasinë e bllokuar.