E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Asetet e krimit, këmbanë alarmi për policinë e prokurorinë

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka kërkuar progres në bllokimin e pasurive të krimit të organizuar, duke i bërë thirrje drejtësisë për procese të shpejta. Komenton edhe raportet e narkotrafikut

Tiranë Aseset e krimit kanë qenë kryefjala e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë një takimi me drejtues të Policisë së Shtetit dhe të projektit PAMECA. Pas raporteve të Bashkimit Europian dhe Departamentit amerikan të Shtetit, të cilët kanë nxjerrë në pah progresin e bërë kundër trafikut të lëndëve narkotike, ministri Basha ka thënë dje se këmbana e alarmit bie tashmë për pasuritë e organizatave kriminale. “Dua të shohim progres. Ky është prioriteti numër një. Me të njëjtin vullnet që shkatërruam infrastrukturën e krimit të organizuar, tani duhet t’u përvishemi aseteve të tyre. Kjo është një thirrje për Policinë e Shtetit, por edhe për institucione të tjera, për Prokurorinë dhe çdo institucion tjetër. Asetet e krimit të identifikohen dhe të kalojnë në një procedurë sa më të shpejtë, siç e parashikon ligji, para ligjit, para drejtësisë”, - tha ai, gjatë takimit të gjashtë me Bordin e projektit PAMECA. Ministri Basha apeloi për një mirëfunksionim të sistemit të goditjes së aseteve kriminale, nga identifikimi i tyre, deri te ndëshkimi nga drejtësia për të arritur rezultatet e kërkuara në programin qeverisës 2009-2013, ndërsa shtoi se për këtë kategori, krimi ka edhe presion apo mbështetje politike. Në këtë prioritet të shpallur tashmë, ministri i Brendshëm ka kërkuar bashkëpunimin e prokurorisë, por edhe të sistemit të drejtësisë, për të trajtuar me procedurë të shpejtuar raste të tilla, kur identifikohen asete të krimit të organizuar. Gjatë këtij takimi, Basha ka komentuar dy raportet e publikuara pak ditë më parë për trafikun e lëndëve narkotike, duke pohuar se ato kanë nënvizuar suksesin e policisë së shtetit në këtë betejë. “Këto dy raporte, të cilat nënvizojnë luftën e suksesshme kundër narkotrafikut nga policia shqiptare, rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve njerëzore e materiale, përparimin në të gjithë rrafshet dhe përpjekjet tona në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe efekteve pozitive që këto përpjekje kanë, janë vlerësimi më objektiv, më i plotë, më domethënës dhe më inkurajues që një organizatë policie mund të marrë”-tha Basha, duke vlerësuar edhe asistencën e PAMECA-s, si një kontribut të drejtpërdrejtë në rezultatet e luftës ndaj narkotrafikut. “Vetëm gjatë këtij viti kemi 10 operacione kundër trafikimit të lëndëve narkotike, në drejtim të shtetit italian, të gjitha të zbuluara nga sistemet tona të vëzhgimit, bashkëpunim më të lartë për shkëmbimin e informacionit me Guardia di Financa, sekuestrimi i një sasie prej 2 tonë e 130 kg marihuanë e destinuar për tregun italian, kapjen e 24 shtetasve irakenë dhe 8 shtetasve pakistanezë të nisur nga brigjet e Greqisë, parandalimin e kalimeve të paligjshme nga shtetas afrikanë dhe 12 ndërhyrje operacionale për kërkim shpëtimi në hapësirën detare”, - shtoi Basha, duke theksuar edhe një tjetër herë se tashmë ka ardhur koha që të luftohen asetet e krimit të organizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›