E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët 21 ditë në grevë urie, s'ka sinjal për negociata

BULQIZE - Është përkeqësuar më tej gjendja shëndetësore e minatorëve në nëntokën e Bulqizës në ditën e 21-të të grevës së urisë. Ndërkohë që dje 13 të ngujuarve 1400 metra në thellësi iu është bashkangjitur dhe minatori Gentian Ndreu, i cili para disa ditësh, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore u detyrua të shkojë për ndihmë mjekësore në spital. Ndreu është futur në galeri, ku ndodhen grevistët në mënyrë të fshehtë, ndonëse mjekët ia kanë ndaluar një gjë të tillë.

Jashtë galerisë, së minierës së kromit, dhjetra minatorë, qytetarë e familjarë të grevistëve ndjekin me shqetësim situatën duke i bërë thirrje qeverisë për të ndërhyrë. 

“Sot nuk kemi asnjë sinjal për negociata nga kompania ACR. Protestuesit janë shumë të revoltuar. Ata kërcënojnë se do të bllokojnë sërish rrugën nacionale
nëse negocimi me ACR-në do të vonojë përtej ditës së hënë. Nga ana e tyre kolegët e minatorëve grevistë paralajmërojnë se do hyjnë në grevë urie 10, e nga 10 në galerinë e minirës, ose në frontet e punës së tyre” – raportoi sot paradite korrespondenti i NEWS24 Enver Doci.

Nisur nga dështimi i nënshkrimit të marrëveshjes me ACR-në, përfaqësia e grevistëve i bëri dje thirrje publike ambasadorit amerikan në Tiranë, Z. Arvizu, që "si përfaqësues i vendit model të respektimit të të drejtave të njeriut, të vijë e të na shikojë në galeri, ku jemi në grevë urie prej 20 ditësh".

Në orët e para të ditës së shtunë, minatorët e grevës së urisë i ka takuar deputeti i PD-së, Bedri Hoxha, duke u premtuar dhe mbështetjen e tij në mbledhjen e parë të parlamentit, në funksion të zgjidhjes së problemeve. "Gjendja shëndetësore e grevistëve është e rëndë, ndaj kërkohet që dialogu mes palëve dhe zgjidhja të mos vonojë. Unë do e bëj prezent shqetësimin e tyre duke kërkuar rrugët e zgjidhjes në mbledhjen më të afërt të parlamentit", - pohoi ai. Po ditën e shtunë, nëpërmjet deputetes Erisa Spiropali, lidhur me situatën e grevistëve ka reaguar dhe Partia Socialiste. "Mbështesim dialogun me ACR-në, por zgjidhja duhet e shpejtë", - shtoi ajo.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›