E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët, Berisha: Mosha e pensionit, 5 vite më pak

 

Roland Nikolli

Kryeministri Sali Berisha u premton minatorëve shkurtimin e moshës së pensionit me pesë vjet dhe me efekte prapavepruese. Aktualisht minatorët, deri në 31 korrik 2009 dalin në pension në moshën 58 vjeç dhe miratimi I këtij ligji do të thotë se ata do të përfitojnë pension nga mosha 53 vjeç. Në vijim të fushatës elektorale, kreu i qeverisë theksoi nga Mirdita se pensionet e fshatit do të barazohen me ato të qytetit. “Por projekte të tjera të mëdha janë realizuar gjatë këtyre viteve, është investuar në rrugë, në shkolla, në bujqësi. Kemi dyfishuar pensionet e të gjithë fermerëve në Shqipëri, por sot zotohem para mirditorëve se do shkurtoj pesë vite pensionin e minatorëve dhe me efekt prapaveprues”. Kreu i qeverisë zhvilloi gjithashtu një takim në Laç, ku u bëri thirrje banorëve të këtij qyteti që të pajisen me kartat e reja të identitetit, të cilat sipas tij janë të standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian. Duke i kujtuar kreut të Partisë Socialiste Edi Rama se ka edhe dy ditë kohë nga afati i tij, Berisha i bëri sërish thirrje të hyjë në garën për deputetë, duke u shprehur i gatshëm të ndryshojë ligjin në parlament. “Le të shtrojmë pyetjen, ky zotëri që refuzon të vendosë veten në krye të listës së partisë së tij a ka moral të kërkojë vota, a ka moral të paraqesë kandidatë, a ka moral të flasë për zgjedhjet. Kur ka ndodhur në historinë e demokracisë që një kryetar partie t’u thotë të tjerëve para ju, se mbrapa më keni. Nuk ndodh kurrë. Prandaj ju bëj thirrje asnjë votë të vetme majtas, sepse vota majtas është votë për të shkuarën, është votë, e cila synon të errësojë të ardhmen tonë”, theksoi Berisha. Ndërkohë, paraditen e djeshme kreu i qeverisë mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për projektin në kaskadën e lumit Devoll. Berisha vuri theksin tek efektet e punësimit në këtë vepër, ku bëri të ditur se përveçse një përfitimi të konsiderueshëm në fushën energjetike, do të bëjë të mundur punësimin e mijëra qytetarëve, nga të cilët 5 mijë punëtorë direkt në frontin e punës dhe rreth 3000 të tjerë ndihmës. Projekti me vlerë rreth 1 miliard euro do të mundësojë prodhimin afërsisht të 1000 Gwh energji të rinovueshme, e cila do të rrisë prodhimin aktual të energjisë elektrike në Shqipëri me rreth 20 %. Ky projekt është realizuar si fryt i bashkëpunimit ndërmjet kompanisë norvegjeze “Statkraft AS” dhe kompanisë austriake “EVN AG”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›