E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimori qëllohet nga kolegu i komunës, asfiksohet në kanal

 

POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI

Inspektori i Tatimeve në komunën e Hudënishtit në Pogradec u vra nga kolegu i tij në gjendje të dehur.  Këtë fakt nxorën hetimet e ekspertëve kriminalë, pasi gjetën në një kanal pa jetë 41- vjeçarin, Ilirian Seitllari, nga fshati Memlisht. Blutë arrestuan si autor të ngjarjes 36-vjeçarin, Florian Baçi, edhe ky punonjës i administratës së komunës. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së martës, por u zbulua mëngjesin e së mërkurës.
Të martën, dy bashkëfshatarët, miq me njëri–tjetrin si dhe punonjës të tjerë të komunës, pasi kishin marrë pagat, rreth orës 16:00, së bashku edhe me kryetarin e Komunës Nexhmi Dokollari, kanë shkuar në një lokal në anë të rrugës nacionale Pogradec – Qafë Thanë, afër liqenit. Kamerieri deponoi pas ngjarjes për grupin e hetimit se punonjësit e komunës kishin konsumuar pije të forta. Rreth orës 19:00, kryetari i komunës është sëmurë nga pija, ndaj dy vartës të tij e çuan në spital. Punonjësit e tjerë kanë dalë një e nga një në orët e darkës, ndërsa viktima Seitllari dhe Baçi janë nisur drejt banesës. Sipas dëshmitarëve, ata kanë qenë të dehur dhe janë parë duke debatuar teksa po përshkonin rrugën. Sipas policisë, kur janë larguar nga lokali, ata kanë nisur të godasin njëri- tjetrin. Në një moment 36-vjeçari e ka goditur me grusht viktimën në pjesën e syrit të majtë dhe më pas e ka shtyrë në kanalin buzë rrugës. Pas arrestimit, Baçi u shpreh se kishte qenë natë dhe nuk e kishte dalluar se kanali kishte qenë plot me ujë. Më pas ai ishte larguar në banesën e tij, pasi edhe pija kishte bërë efektin e saj. Sipas ekspertëve viktima, ca nga pija dhe ca nga goditja me grusht, ka humbur vetëdijen dhe nuk ka mundur të shmangë rrezikun e mbytjes. Në këto rrethana ai ka vdekur nga asfiksimi në kanal. Familjarët e kanë kërkuar atë gjatë gjithë natës, por ai u gjet vetëm mëngjesin e së nesërmes. Përveç hematomës që i kishte mbetur në pjesën e syrit të majtë, në fytyrën e Seitllarit u evidentuan edhe gërvishtje, që dyshohet t’i jenë shkaktuar nga shkurret dhe ferrat që mbulonin kanalin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›