E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët: Takimi me ACR-në sot në orën 16:00

Minatorët e Bulqizës i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kompanisë “ARC” për të nisur negociatat në lidhje me plotësimin e kërkesave të tyre.

Këshilli i grevës së minatorëve në Bulqizë vendosi sot që të zhvillohet rreth orës 16:00 një takim tre palësh mes minatorëve, përfaqësuesve të firmës ACR dhe Bashkisë së Bulqizës.
 

Kështu si përfaqësues të minatorëve në bisedime do të jenë Luan Nika, Kujtim Bushi, Ali Alliu, Fiqiri Shkina, Sadik Kamishi dhe Xhemal Meta. ndërsa nuk do të jenë në takim kreu i konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla dhe kreu i konfederatës së industrisë Taf Koleci.

Në një prononcim për “Ora News” kreu i konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla ka theksuar se 6 përfaqësuesit janë të mandatuar për të negociuar, por jo për të firmosur marrëveshje, pasi kjo e fundit i takon Bashkisë, Sindikatës dhe kompanisë ACR.

“Kemi mësuar që ACR kërkon bisedime edhe pse nuk kemi një kërkesë konkrete të saj. Ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë por shpresojmë që kjo mos të jetë shakaja e radhës pasi kemi ditë që po bombardohemi nga letra dhe mesazhe në mënyrë për të thyer grevën” theksoi Nikolla.

Gjithashtu Nikolla theksoi se minatorët të cilët prej 15-të ditësh ndodhen në grevë urie përveç gjendjes së rëndë shëndetësore po përballen edhe problemet teknike në thellësi të galerisë.
 

Ndërkohë më herët kompania “ACR” ka deklaruar se është e gatshme të nisë negociatat me minatorët e Bulqizës për të arritur një marrëveshje në lidhje me kërkesat e tyre.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›