E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Minatorët’ dënojnë incidentin

Kryesia e Trepçës e ka dënuar incidentin e ndodhur të dielën mbrëma në Mitrovicë, në finalen e Kupës së Kosovës ndërmjet mitrovicasve dhe Sigal Prishtinës, kur tifozët mitrovicas, të zhgënjyer me ekipin e tyre, bënë veprime të turpshme në minutën e fundit të ndeshjes, duke hedhur gjësende të forta, shishe të plastikës, këpucë, çakmakë e deri te karriget.

Mirëpo, në këtë mbrëmje një tifoz i minatorëve shkoi aq larg, për ta thyer edhe vetë Kupën. Zyrtarët e klubit mitrovicas janë mbledhur të hënën mbrëma për të diskutuar rreth këtij rasti.

“Sigurisht, ne e dënojmë këtë rast, por më gjerësisht do të flasim pas mbledhjes që do ta kemi. Këto gjëra nuk i nevojiten sportit mitrovicas, por as atij kosovar”, deklaroi drejtori i klubit mitrovicas, Besim Braha.

Gjatë ndeshjes me prishtinasit janë dëgjuar shpesh fyerje dhe kontestime ndaj gjyqtarëve të ndeshjes. Por, sipas Brahës, ish basketbollist i Trepçës, gjyqtarët nuk kanë aspak faj për humbjen e Trepçës nga Sigal Prishtina me rezultat 70:59.

“T’i akuzojmë gjyqtarët nuk është justifikim i drejtë. Ne gati për një çerek shënuam vetëm 4 pikë. Faji i humbjes është komplet i yni”, shpjegoi drejtori i minatorëve, Braha.

Arrestohen katër persona

“Tërbimi” i tifozëve mitrovicas në palestrën sportive “Minatori” ka rezultuar me arrestimin e disa personave, por pati edhe të lënduar. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

“Policia ka arrestuar katër persona, përfshirë edhe personin që e ka thyer Kupën. Është regjistruar dëmtimi i 3 automjeteve, ndërsa një person është paraqitur me lëndime trupore nga gjuajtjet e mjeteve”, njoftoi Hoti.

FBK paralajmëron dënime

Shumë shpejt, Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) do të marrë vendime për rastin e ndodhur në Mitrovicë. Pasi të grumbullohen të gjitha materialet e nevojshme, FBK nuk e përjashton mundësinë e dënimit ndaj keqbërësve. “Nesër ose pasnesër do të mblidhemi dhe do të dalim me vendime”, ishte i shkurtër të hënën komisari i garave të FBK-së, Nazmi Paçarada.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›