Mançesteri pa Uejn Runin, më i lehtë për tu thyer
Mark van Bomel beson se Bajerni i Mynihut ka shanse të mira që të kualifikohet në gjysmëfinalet e Champions-it, pavarësisht se ndeshja e kthimit do të luhet në “Olld Traford”. Mesfushori ka deklaruar se humbja 2-1 në Gjermani ka ndikuar negativisht te Mançester Junajtid, ndërsa thekson se mungesa e Uejn Runit e lehtëson misionin e skuadrës së Van Gal. “Arma” sekrete e Bajernit mund të jetë edhe Arjen Roben, i rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe gati për të luajtur kundër “Djajve të Kuq”. Van Bomel deklaroi: “Junajtid zhvilloi një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë, por personalisht u zhgënjeva prej tyre. Mendoj se mund ta kishin mbrojtur avantazhin 1-0, megjithatë ata u gëzuan përpara kohe dhe ne fituam. Pas ndeshjes të gjithë dukeshin të zhgënjyer dhe të zemëruar. Kjo ka lënë pasoja në aspektin psikologjik dhe Bajerni duhet ta shfrytëzojë. Për më tepër, që në takimin e së mërkurës mund të mungojë Uejn Runi. Me mungesën e lojtarit më të mirë të Junajtid dhe rikthimin e Arjen Roben, besoj se kemi shanse të mira që të fitojmë”.
#