Minatorët e Bulqizës, kërkesë MSH për ndihmë mjekësore

Minatorët e Bulqizës, të cilët prej ditës së djeshme ndodhen në grevën e urisë, që po zhvillohet 1400 metra nën tokë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Nëpërmjet një shkrese drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, nisur edhe nga përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të grevistëve, për shkak të lagështirës, minatorët kërkojnë ndihmë mjekësore. 25 prej minatorëve janë futur prej ditës së djeshme në grevë urie pas 22 ditë protestash të zhvilluara në Bulqizë dhe Tiranë.
Pasi kërkesat e tyre për rritjen e pagës, përmirësimin e kushteve të punës dhe uljen e moshës së pensionit nuk u plotësuan, ata vendosën të hyjnë në grevë urie. Pjesa tjetër e minatorëve vijon protestën pranë ambienteve të “ACR”. Minatorët shprehen të vendosur në vijimin e grevës dhe të protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre.