Protesta për dëmshpërblimin, nis hetimi për 11 banorë
SHKODER-Acarohet situata në zonën e Nënshkodrës. Një ditë pas protestës të organizuar nga banorët e fshatit Trush për mosdhënien e parave të dëmshpërblimit për përmbytjet e shënuara vitin e kaluar, policia ka nisur hetimin në gjendje të lirë për 11 prej tyre. Tejet të indinjuar, banorët e këtij fshati deklaruan se "veprimi i policisë së Shkodrës është i pajustifikueshëm dhe nuk ka asnjë bazë ligjore. Megjithatë ne nuk trembemi e do të vazhdojmë rrugën tonë, pasi po kërkojmë bukën e gojës të fëmijëve tanë". Burime zyrtare nga Drejtoria e policisë së qarkut deklarojnë se tubimi i organizuar paraditen e së dielës, ku rreth 300 banorë bllokuan për rreth 45 minuta rrugën Shkodër-Velipojë ishte i paligjshëm. Në komunikatën për shtyp pohohet se janë identifikuar 11 organizatorët e protestës, të cilët do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për akuzat "organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme" dhe "pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit". Ndërkohë, banorët dhe kryetari i komunës së Bërdicës sqarojnë se policia gënjen dhe vetëm sa acaron situatën më shumë. Në mbështetje të banorëve të fshatit Trush ka dalë dhe kryetari i komunës së Bërdicës, Besnik Brahimi. Ai u shpreh se "askush nuk duhet të pengojë njerëzit të kërkojnë të drejtën e tyre. Kjo zonë është dëmtuar jashtëzakonisht shumë nga përmbytjet e vitit të kaluar. Është detyra e shtetit që t'u përgjigjet këtyre familjeve". Ndërsa, vetë banorët thonë se "nuk është e vërtetë se nuk kemi njoftuar për mitingun. Dhjetë ditë më parë, në takimin me prefektin e Shkodrës, Maxhid Cungu kemi deklaruar para mediave se do të bëjmë protestë të dielën, pasi nuk kemi marrë asnjë përgjigje pozitive nga strukturat shtetërore për lekët e dëmshpërblimit". Sipas tyre, me nisjen e hetimeve, policia po u bën presion haptazi që të heqin dorë nga kërkesa e tyre e ligjshme. "Ne nuk trembemi nga veprimet e palogjikshme të policisë, sepse kemi të drejtën e gjithë botës. Madje, ne sërish do të protestojmë dhe do të bllokojmë rrugën", - kërcënuan banorët e Trushit. Që prej disa muajsh banorët e zonës së Nënshkodrës i kërkojnë qeverisë shqiptare që të lëvrojë fondin e dëmshpërblimit për përmbytjet e fillimdhjetorit të vitit të kaluar.
(s.g/GSH/balkanWeb)
(s.g/GSH/balkanWeb)