E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët e Bulqizës në ditën e 4-t të protestës, sot takim me METE

BULQIZË- Hyn sot në ditën e 4-t protesta e 700 minatorëve të minierës së Bulqizës. Ata janë të vendosur për të vazhduar protestën edhe pas takimit që patën dje me përfaqësues të kompanisë austriake ACR.

Minatorët kërkojnë plotësimin e 5 kushteve, që përfshin rritjen e pagave, heqjen e taksës së dyfishtë, përmirësimin e kushteve në punë, largimin e subjekteve të tjera të palicencuara nga territori i kësaj kompanie, si dhe uljen e moshës së pensionit, përndryshe kërcënojnë se do të hynë në grevë urie. 

Për këto shqetësime minatorët takuan dje krerët e kompanisë austriake ACR, por nuk u arrit asnjë marrëveshje mes tyre. Kompania ACR kërkoi që ata ti ktheheshin punës në miniera, ndërsa minatorët kërkuan firmosjen e një kontrate që plotëson kushtet e kërkuara.

Po sot një grup përfaqësuesish nga Ministria e Ekonomisë pritet të takohet si me minatorët ashtu edhe me përfaqësues të kompanisë, me qëllim zgjidhjen e situatës.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›