E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët e Bulqizës paralajmërojnë grevë për statusin sigurinë në punë

700 minatorë pritet të përshkallëzojnë protestat, deri në plotësimin e kërkesave të deklaruara prej kohësh

Një ditë pasi Ministria e Ekonomisë ngriti një grup pune për hartimin e statusit të minatorit këta të fundit paralajmërojnë nisjen e një greve të përgjithshme. Paraprakisht minatorët  kanë hartuar kërkesat e tyre, të cilat konsistojnë në uljen e moshës së pensionit dhe miratimin e statusit. Mësohet se rreth 700 minatorë në minierën e nxjerrjes së kromit në Bulqizë

kërcënojnë me nisjen e protestave të cilat do vijnë duke u përshkallëzuar. Sipas sindikatës së minatorëve, shkak për nisjen e protestave në këtë minierë është bërë mungesa e dialogut dhe konfirmimit të kërkesave të minatorëve për uljen e moshës së pensionit dhe miratimin e statusit të minatorit, dërguar autoriteteve më të larta shtetërore.  Dy janë kërkesat tona për qeverinë, korrigjimi i moshës dhe vjetërsisë së daljes në pension të minatorëve në 50 vjeç me 10 vite punë në nëntokë, dhe e dyta dhënia e statusit të minatorit, ka deklaruar kryesindikalisti. Eksperienca 62 vjeçare e minierës së Bulqizës, thonë inxhinierë e specialistë të kësaj miniere, ka treguar dhimbshëm se minatorët që kalojnë moshën 50 vjeç kanë qenë të paaftë për të punuar në nëntokë.  Në mungesë të kësaj zgjidhjeje dhe shpërfilljes totale të qeverisë, 700 minatorët e Bulqizës do organizojnë protestat që mund të shkojnë deri në bllokimin e punës.

Grupi i punës
Minatorët do të marrin përgjigje për statusin e tyre brenda një muaji. Pranë Ministrisë së Ekonomisë është ngritur dy ditë më parë një grup pune i cili do të hartojë një studim për Statusin e Minatorit. Grupi i ekspertëve do të kryesohet nga zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Neritan Alibali dhe të do ketë në përbërjen e tij edhe specialistë nga fusha të tjera. Në përbërje të këtij grupi do të jenë dhe të tjerë funksionarë të lartë të METE, përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, e cila bëri të ditur lajmin, mësohet se grupi është ngritur me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, në bazë të urdhrit të Kryeministrit nr. 28. Datë 5.2.2010 Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për Statusin e Minatorit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ky grup pune, deri në datën 05 prill të këtij viti do të hartojë studimin mbi mundësitë konkrete për realizimin e statusit të minatorit, si dhe ti paraqesë Kryeministrit propozimet për këto mundësi, së bashku me aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore lidhur me Statusin e Minatorit. Për realizimin e detyrave të përcaktuara në urdhrin e Kryeministrit, grupi i punës do ti referohet praktikës së deritanishme lidhur me Statusin e Minatorit. Pas hetimit të dokumenteve mbi statusin e minatorit, grupi i punës do të konsultohet me faktorët e interesit.

Statusi
Përplasja e radhës është regjistruar në  20 shkurt, kur minatorët zhvilluan protestën e fundit. Pasi konsideruan se qeveria ka bërë veshin e shurdhër ndaj kërkesave të tyre, minatorët tentuan hyrjen me forcë në godinën e kryeministrisë për tu takuar me kryeministrin Sali Berisha. Protestuesit u munduan të çajnë rrethimin e efektiveve blu që ishin vendosur para godinës së kryeministrisë, por hasën gardhin e hekurt të policisë. Protesta kulmoi me përleshjen disa sekonda trup me trup mes protestuesve dhe policisë. Gjatë protestës së 20 shkurtit, kreu i sindikatës së minatorëve ka akuzuar qeverinë se ka qëndruar indiferente ndaj kërkesave të tyre. Kërkojmë me urgjencë miratimin e statusit të minatorit. Sali Berisha të mbledhë qeverinë dhe ta miratojë, ka thënë Xibri për mediat. Minatorët kanë kërkuar edhe uljen e çmimit të energjisë elektrike. Në mbështetje të minatorëve ka dalë edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave. Por protesta e 20 shkurtit u mbyll pa asnjë takim me kryeministrin apo ndonjë përfaqësues tjetër të qeverisë. Protestat e minatorëve kanë qenë të shpeshta gjatë këtyre viteve, ku kërkesë themelore ka qenë statusi i minatorit.  Disa muaj më parë, në vitin 2009 ata protestuan dhe kërkuan nga qeveria që të miratojë statusin përfundimtar të minatorit, të rishikohet mosha e pensionit dhe pagat. Minatorët kërkojnë që të dalin në pension zyrtarisht në moshën 50 vjeç. Miratimi i statusit të minatorit, sipas përfaqësuesve të sindikatës pritet të zgjidhë përfundimisht kërkesat ekonomike të punonjësve të nëntokës për pension deri në moshën 50 vjeç me 10 vite pune, me një shumë prej 20 mijë lekë të reja. Në Korrik 2009, Qeveria miratoi ligjin për moshën e pensionit të minatorëve, që kufizon moshën e daljes në pension të kësaj kategorie nga 65 në 60 vjeç dhe vjetërsinë në punë nga 35 në 30 vjeç.

Ornela Manjani

Last Updated on E Premte, 12 Mars 2010 21:42

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›