Fier, përmbyten 100 hektarë tokë
Reshjet e shiut vazhdojnë të shkaktojnë probleme në disa rrethe të ndryshme të vendit. Në komunën Kuman të rrethit të Fierit, janë përmbytur rreth 100 hektarë tokë dhe nën ujë ndodhen disa shtëpi. Por më shqetësuese janë plasaritjet që ka pësuar argjinatura e rezervuarit të Kurjanit, i cili ka një kapacitet prej 3,5 milion metër kub ujë. Nga ana e
Drejtorisë së Bordit të kullimit në Fier, janë hedhur mbi 100 metra kub gurë për të riparuar dëmin. Përmbytje nga moti i keq ka patur edhe në Lushnje. Në komunën e Tërbufit nën ujë janë rreth 45 hektarë tokë e mbjellë. Hidrovoret punojnë me kapacitete maksimale, por kanalet kulluese janë të bllokuara pasi nuk janë pastruar prej kohësh.
Në disa komuna të Beratit, reshjet e shiut kanë shkaktuar rrëshqitje toke. Pesë shtëpi janë shembur dhe rrezikohen dhe disa të tjera.