GKA shpall fitues Andrea Demçe për realizimin e bustit të Fan Nolit
Nga njoftimi zyrtar i GKA thuhet se vlerësimi i komisionit i dha rëndësi dy fakteve kryesore që lidhen me pamjen që duhet të ketë busti dhe portreti i Fan Nolit. Në këtë fakt iu dha rëndësi dhe vendit ku do të vendoset, që nuk është një mjedis shqiptar dhe që nuk jetohet nga shqiptarët. Këto fakte janë dhe kërkesa të cilësuara në dokumentin e shpalljes së konkursit nga GKA Tiranë. Këto fakte lidhen ngushtësisht me arritjen përfundimtare si respektimi i drejtimit artistik realist që duhet të ketë modeli skulpturor dhe pamjen intelektuale dhe fizionominë e afërt me personalitetin e Fan Nolit. Mbi modelin fitues u diskutua thellësisht dhe u argumentua mbi vlerat e tij më të arrira që janë përqasje me ngjashmërinë e karakterit vizual dhe me frymën e fizionomisë dhe personalitetit intelektual të Fan Nolit. Gjithashtu vlerë në këtë model u gjet dhe cilësia ekzekutive e elementeve të formës modeluese dhe e kalimve të buta nga volumi në volum. Në rastin e këtij tipi skulpturor, ku dokumentohet një figurë e shquar e një kombi, komisioni mendoi se modeli fitues mbart në konsideratë të dukshme kërkesën për një portret zyrtar, vlerë të konsiderueshme artistike dhe të hijeshisë intelektuale. Komisioni la si detyrë të ndiqet në faza të ndryshme kohore realizimi i bustit që nga modelimi e deri në derdhjen në bronz nga anëtarët e tij. Përfundimi duhet të dokumentohet me një referencë dhe dokument zyrtar nga komisioni i nga z. Rubens Shima-kryetar, Gazmend Leka dhe Suzana Varvarica Kuka-anëtarë. Ku konkurs u shpall me datë 26 janar 2010. Për realizimin e bustit në përmasat e përcaktuara artisti fitues lidh kontratë me MTKRS, e cila ka vendosur në dispozicion për realizimin e bustit shumën prej 1.590.000 lek. Shpenzimet e transportit të bustit të Fan Nolit në bronz nga QRVA në Ibrik Tepe të Turqisë i merr përsipër Instituti i Diasporës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Busti do të vendoset në një hapësirë, pranë sheshit Republika të qytetit Ibrik Tepe, të Turqisë, ku ka lindur figura e shquar kombëtare Fan Noli.