Minatorët e Bulqizës përshkallëzojnë protestat
Minatorët e Bulqizës kanë përshkallëzuar sot protestat e tyre para ambienteve të kompanisë ACR, në pritje të plotësimit të kërkesave të tyre.
Së bashku me ta në protestë janë edhe fëmijët e tyre të cilët do të bojkotojnë mësimin duke mos u paraqitur në shkollë sot në ditën e parë të saj.
Gjithashtu, pritet që sot komisioni i grevës të marrë vendimin në lidhje me rinisjen e grevës së urisë.
Greva e urisë është lajmëruar që më parë nga minatorët, të cilët deklaruan se ndërprerja e saj ishte e përkohshme, deri në një marrëveshje mes palëve.
Ndërkohë që ende nuk ka nënshkrim dhe kompromis për marrëveshjen mes tyre dhe firmës koncensionare “ACR”, minatorët deklarojne se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Edhe pse në një njoftim të firmës “ACR” u bë e ditur se sot do të niste puna në minierë, minatorët kanë vijuar edhe sot protestat duke mos përfillur deklaratën e kompanisë.
ACR-ja theksoi disa ditë më parë se miniera nuk mund të mbetet peng i një grupi njerëzish dhe se përveçse ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve, ka qenë e gatshme të bisedojë në çdo kohë me ta.
Ajo gjithashtu ka theksuar se nëse minatorët të cilët nuk do të paraqiten sot në pozicionet e tyre përkatëse do të konsiderohen që nuk dëshirojnë të punojnë në këtë kompani ndërsa ata të cilët do të vijojnë punën do të pajisen me kontrata të reja ku në to do të përfshihet rritja e pagës me 20 përqind, e drejta për kushte të mira pune të vazhdueshme dhe e drejta për t`u informuar për planet e investimeve në minierë.