SHBA, dyshime për sulm terrorist në dy avione

SHBA-ja rriti ndjeshëm sigurinë në 10 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit dhe këtë gjë e tregoi edhe ngjarja e djeshme ku dy aeroplanë civilë janë ndjekur nga dy avionë ushtarakë pas dyshimeve se në to ndodheshin persona të dyshuar si terroristë.
Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë deklaruar se avionët luftarakë ishin urdhëruar që të ndjekin dy aeroplanë civilë, pas raportimit se disa udhëtarë shfaqnin shenja të dyshimta.
Fluturimet ishin nga Los Anxhelosi në Nju Jork dhe nga Denveri në Detroit, të kompanive “American Airlines” dhe “Frontier Airlines”.
Sipas zyrtarëve, disa udhëtarë shkonin shpeshherë në banjon e aeroplanëve dhe kjo ngjalli dyshime tek ekuipazhi.
Këta udhëtarë ishin marrë në pyetje nga policia pasi aeroplanët ishin ulur dhe ishin liruar pasi ishte vërtetuar se nuk kishin lidhje me terrorizmin.
FBI-ja kishte deklaruar se aeroplanët luftarakë F-16 ishin dërguar në ndjekje të aeroplanëve civilë për shkak si pasojë e rritjes së masave të sigurisë dhe të shqetësimeve se terroristët mund të sulmojnë në përvjetorin e 11 shtatorit 2001.