Minatorët e Bulqizës protestojnë para METE

Minatorët e Bulqizës kanë filluar protestën e tyre përpara Ministrisë së Ekonomisë. Nëpërmjet një megafoni, ata po parashtrojnë kërkesat e tyre, ku ndër më kryesoret është plotësimi i kushteve të punës.
Sipas minatorëve këto kushte garantohen nga kryerja e investimeve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani. Ata kërkojnë takim me ministrin e METE për plotësimin e kërkesave.
“Uluni me minatorët për të zgjidhur problemet dhe ne t`i kthehemi punës me dinjitet”, u shpreh njëri prej minatorëve.
Një tjetër minator kërkoi plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e ministrit, duke deklaruar se nuk do të largohen nga ambientet përpara ministrisë derisa kërkesat e tyre të plotësohen.