Minatorët protestojnë, kërkojnë të rinisë puna
Bulqizë
Të punësuar pranë zonës D, duken të vendosur të punojnë pavarësisht rrezikut vdekjeprurës
Mbi 65 minatorë të Zonës D, kanë vijuar edhe gjatë ditës së djeshme protestën e tyre para galerisë 39, kundër ACR-së, e cila nuk lejon që ata të rifillojnë punën në galeritë e kësaj zone. Galeritë i janë dhënë prej tre muajsh me nën koncesion firmës turke Turalba.
Në protestën e sotme, përveçse minatorëve, në protestë kanë marrë pjesë edhe 5 gra të cilat punojnë në sipërfaqe që i janë bashkangjitur asaj. Të paktën prej 3 muajsh, kur dhe galeritë e Zonës D të minierës së Bulqizës, u dhanë me nënkontraksion nga ACR-ja për firmën turke Turalba, minatorët iu vunë punës për rikonstruksionin e këtyre galerive për ti bërë ata atraktive për punë. Por, çuditërisht në momentin kur dhe do riniste puna në to, kompania koncesionare austriake ACR që menaxhon pjesën qendrore të minierës së Bulqizës, i bllokoi këto galeri duke mos lejuar minatorët që të futen në to për të punuar.
Kështu, prej gati një jave, 66 minatorë të kësaj zone vijojnë të mos lejohen të hyjnë në galeri nga policia private e ACR-së e urdhëruar nga drejtori i minierës, Medat Zogu.
Kushtet janë krijuar për rinisjen e punës, thonë minatorët, por pikërisht tani kur dhe duhet të rinisë puna për prodhimin e mineralit, drejtori i minierës, Medat Zogu, lëshon një urdhër për të na bllokuar hyrjen në galeri edhe pse kontrata mes ACR-së dhe kompanisë nënkontraktore turke Turalba është firmosur sipas ligjit me METE-en, si dhe janë nënshkruar kontratat kolektive dhe individuale tonat me kompaninë turke Turalba.
Zona D e minierës, në shumicën e galerive të saj, vazhdon të mbetet problematike si për nga kushtet e sigurisë teknike në punë pasi është cilësuar nga specialistët si tejet e pasigurt, ashtu edhe nga përplasjet mes të fortëve për zaptimin e paligjshëm të galerive, që shpesh kanë degraduar deri në përdorimin e armëve dhe marrjen e jetëve njerëzore siç dhe ndodhi në janarin e vitit të kaluar, kur në një përplasje të tillë me armë mes dy grupeve rivale humbi jetën një person i pafajshëm që ndodhej në zyrën noteriale në qendër të qytetit.
Disa ditë më parë, në galeritë pranë zonës së Theknës minatori Gani Doçi, 61 vjeç humbi jetën pasi e zuri nën vete një masiv gurësh minerali të shembur nga tavani i galerisë. Viktima, për çdo ditë vinte nga fshati Karicë i rrethit të Matit, duke udhëtuar për më shumë se dy orë për të punuar në galeri për mbajtjen me bukë të familjes. Ai kishte plot 35 vjet që punonte në këto galeri dhe ende nuk kishte dalë në pension, pasi familja nuk kishte asnjë të ardhur tjetër ekonomike përveçse punës së tij në galeri. Teksa po kontrollonte galerinë me levë për të nisur hapjen e vrimave në ballin e saj, një masiv gurësh kromi është shembur nga tavani i saj, duke e zënë nën vete 61-vjeçarin. I aksidentuari është nxjerrë nga minatorët e tjerë jashtë galerisë, por fatkeqësisht, ai nuk ka mundur tu rezistojë plagëve të marra, pasi gjatë rrugës për në spitalin e Bulqizës, ka ndërruar jetë. Një minator tjetër u plagos tri ditë më parë në një aksident të ndodhur në zonën D.
Hysen Likdisha
Minatorët protestojnë, kërkojnë të rinisë puna burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip