E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikimet afatmesme te ekonomise shqiptare

Pavarësisht rënies ekonomike me 0,2% në tremujorin e parë të këtij viti, e ndikuar kjo edhe nga situata e rënduar ekonomike dhe financiare e vendeve të rajonit dhe Europës, perspektivat e ekonomisë shqiptare duken mjaft pozitive. Në projektbuxhetin afatmesëm 2013-2015, publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare, rritja ekonomike për vitin 2012 parashikohet në 4.3%. Pas këtij viti financat vlerësojnë se rritja mesatare ekonomike për periudhën 2013-2015 do të shkojë në rreth 5% në vit. Borxhi publik parashikohet që gjatë këtij dy vjeçari të ulet në 58% të PBB. Përsa u përket treguesve kryesorë makroekonomikë sipas Ministrisë së Financave parashikohet që konsumi final të rritet në terma reale me një normë vjetore mesatare prej 2.9% gjatë kësaj periudhe. Konsumi në 2013 është parashikuar që të vazhdojë të rritet me ritme më të larta, 2.9 %, nga 2.1% që ishte në vitin 2012 dhe 1.9% që ishte në vitin 2011. Të ndarë sipas sektorëve kryesor pritet që prodhimi bujqësor, duke supozuar kushte normale klimatike, parashikohet të rritet me normën historike të tij mesatarisht me rreth 3.5 % në vit për periudhën e ardhshme 2013-2014. Prodhimi industrial, duke përfshirë industrinë nxjerrëse dhe prodhuese, është parashikuar të rritet mesatarisht me 5.8 % në vit për periudhën afatmesme në vazhdim. Ndërtimi për periudhën në vazhdim afatmesme (është parashikuar të ketë një rritje mesatare prej 3 % në vit. Shërbimet janë parashikuar të rriten mesatarisht me 5.6 % në vit. Kontributin kryesor pritet ta japin transporti, tregtia hotel dhe restorant, si dhe postë-telekomunikacioni. Inflacioni, parashikohet të luhatet brenda kufijve 2-4 % të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Deficiti tregtar i shprehur në terma të PBB-së është parashikuar që të reduktohet gradualisht duke arritur në 12.7 % për vitin 2015.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›