Minatorët refuzojnë kërkesën e ACR-së për takim në Tiranë

Minatorët i janë përgjigjur negativisht ftesës së kompanisë “ACR” për tu ulur në tryezë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për të zgjidhur situatën e krijuar në Bulqizë.
Komiteti i grevës ka vendosur të refuzojë kërkesën e kompanisë “ACR” duke dhënë edhe arsyet. Sipas komitetit takimi nuk mund të zhvillohet në Tiranë pasi greva është duke u zhvilluar në Bulqizë dhe se dy minatorët e propozuar nga ACR-ja për të marrë pjesë në bisedime Shukri Cupi dhe Afrim Disha nuk mund të përfaqësojnë minatorët pasi ata nuk kanë lidhje me grevën e urisë.
Gjithashtu minatorët i kanë bërë thirrje kryeministrit Berisha të reagojë në lidhje me situatën e krijuar në Bulqizë ndërsa kërcënojnë se do të bllokojnë nesër rrugën nacionale duke shkuar më tej edhe në mosbindje civile.
Ndërkohë më herët kompania “ACR” u kërkoi minatorëve të takohen nesër në orën 11:00 në zyrat e saj në Tiranë. Gjithashtu ACR-ja propozoi që të dyja palët të përfaqësohen nga 5 anëtarë ndërsa ka konfirmuar që si negociator i kompanisë do të jetë administratori Giga Bedineishvili.
Gjithashtu kompania i ka propozuar minatorëve që në bisedime të jenë të pranishëm edhe dy minatorët Shukri Cupi dhe Afrim Disha të cilët sipas saj mendojnë se komiteti i grevës nuk përfaqëon interesat e tyre.