E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH: Debitorët më të mëdhenj janë institucionet shtetërore

 

fabiola Çela

Institucionet shtetërore janë debitorët më të mëdhenj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Gjatë analizës 9-mujore krerët e OSSH-së kanë theksuar se, kjo kategori konsumatorësh janë problematike në pagesën e faturave të energjisë elektrike. Vetëm ujësjellësit i kanë kësaj kompanie një borxh prej 200 milionë lekësh vetëm për muajin shtator.
Analiza
Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes thirri të enjten në analizë drejtorët e 12 njësive zonale të OSSH-së, me qëllim për të analizuar treguesit për muajin shtator, ecurinë e 9-mujorit, të vendosjes së matësve, realizimin e investimeve dhe remonteve, si dhe masat që do të merren për sezonin e dimrit për furnizimin sa më normal të konsumatorëve me energji elektrike. Sipas analizës për muajin shtator, drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi, tha se gjatë këtij muaji ritmi i punës vlerësohet i lartë. Lidhur me arkëtimet e pritshme për shtatorin Dollapi shtoi se, treguesit për konsumatorët familjarë janë 83 për qind ndërsa për privatët 100 për qind.  Treguesi i nivelit të humbjeve, sipas tij, është më i miri. Humbjet për shtatorin janë 25 për qind. Sipas Dollapit, i vetmi mosrealizim i kompanisë është arkëtimi nga ndërmarrjet buxhetore dhe jobuxhetore. Nga ndërmarrjet buxhetore arkëtimi është rreth 90 %, nga ndërmarrjet jobuxhetore, ku përfshihen edhe ujësjellësit, treguesi i arkëtimeve nuk është i kënaqshëm.  “Vetëm për shtatorin borxhi i ujësjellësve është rreth 200 milionë lekë. Sikur të ishte arkëtuar edhe kjo pjesë, atëherë treguesit e kompanisë për shtatorin nga 88-89 %, do të shkonin në realizim 100 %”, nënvizoi ai.
Duke iu referuar zërit të humbjeve në rrjet, Dollapi vijoi se për 9-mujorin është realizuar plani për të mbajtur të ulët nivelin e humbjeve, që shkon në 31.8 % nga 32 që është plani. “Në këtë mënyrë është realizuar një nga kushtet kryesore të qeverisë për kompaninë, e cila deri në fund të vitit duhet të mbajë në 32 % nivelin e humbjeve në rrjet”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së.
Privatizimi
Vetëm pak ditë më parë u zhvillua tenderi për privatizimin e OSSH-së. Vetë ndërkombëtarët e IFC-së e kanë vlerësuar me nota goxha pozitive tenderin për shitjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së. Në fazën parakualifikuese të këtij tenderi morën pjesë katër kompani. Por ditën që u zhvillua tenderi vetëm dy kompani dorëzuan ofertat e tyre teknike dhe financiare. Gjatë vlerësimit të ofertave komisioni përzgjodhi ofertën e bërë nga kompania çeke ‘CEZ’, e cila ofroi 102 milionë euro për privatizimin e OSSH-së. Përveç kësaj, çekët kanë marrë përsipër që të paguajnë borxhet e kompanisë, vlera e të cilave arrin në 15.6 miliardë lekë. Gjithashtu brenda 5 viteve të ardhshme kompania do të investojë 200 milionë euro. Kompania çeke ka pranuar kushtet e vëna nga pala shqiptare, si uljen e nivelit të humbjeve në 32 për qind deri në fund të vitit. Ndërsa deri në vitin 2014 niveli i humbjeve është parashikuar të ulet në nivelin e 15 për qindëshit.

OSSH treguesit

83 për qind arkëtimet për konsumatorin familjar për muajin shtator 100 për qind arkëtimet për konsumatorin privat për shtatorin 25 për qind niveli i humbjeve për shtatorin 31.8 për qind niveli i humbjeve për 9-mujorin 200 milionë lekë detyrimet e ujësjellësve 15.6 miliardë lekë është vlera e borxhit që kompania çeke do të paguajë për OSSH-në 102 milionë euro oferta e kompanisë ‘CEZ’ për privatizimi e OSSH-së 200 milionë euro do të jenë investimet gjatë 5 viteve të para

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›