Thellohet deficiti tregtar
Thellohet edhe më shumë hendeku mes eksporteve të prodhimeve vendase dhe importeve. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, deficiti tregtar gjatë muajit gusht është 27,802 mln lekë, duke shënuar një rritje prej 4.8 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 22.8 për qind, krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Në këtë muaj u eksportuan 7,741 mln lekë mallra, me ulje 29.9 për qind në krahasim me muajin korrik të 2008 dhe rritje me 18 për qind, në krahasim me muajin gusht 2007. U importuan 35,543 mln lekë mallra me rritje 21.7 për qind, në krahasim me muajin gusht të 2007 dhe ulje 5.4 për qind, në krahasim me muajin korrik 2008. Tregtia me vendet e Bashkimit Europian zuri 57.1 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 42.6 për qind dhe importi 18.9 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 10.2 për qind dhe importi 19 për qind.