E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Albtelecom” bën bilancin e tarifave: Ulëm 57 për qind çmimet e internetit

 

Gjigandi i telefonisë fikse “Albtelecom” ka ulur tarifat për abonentët e saj. Gjatë një deklarate për mediat të zhvilluar dje drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Mustafa Resit Akdogan, ka prezantuar tarifat e reja të telefonisë fikse dhe shërbimit të internetit ADSL, investimet e kryera në përmirësimin e infrastrukturës, si dhe investimet për të ardhmen. “Albtelecom ka realizuar ulje të tarifave të telefonisë fikse për klientët familjarë dhe bizneset, ulje të cilat shkojnë deri në 57 për qind”, tha ai. Po kështu ulje të ndjeshme, sipas tij, janë bërë për shërbimin e internetit me ADSL . Më konkretisht, çmimet e ADSL janë ulur deri 80 për qind. Lidhur me projektet e reja të kompanisë për rritjen e kapacitete të telefonisë fikse, ai u shpreh se, “në kuadër të projekteve tona për modernizimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e rrjetit, sapo kemi firmosur një protokoll edhe me Bashkinë e Tiranës. Brenda javës që vjen do të fillojnë punimet me projektin e zgjerimit të kapacitetit për kryeqytetin dhe zonat përreth, në fund të të cilit, kapaciteti do të rritet me 200 mijë numra të rinj. Dua të shtoj gjithashtu se, në fillim të muajit nëntor, fillojnë punimet edhe në qytetin e Durrësit. Projekti për këtë qytet parashikon shtimin e kapaciteteve me 140 mijë numra të rinj, të cilët do të plotësojnë kërkesat në këtë qytet. Pra, në total bëhet fjalë për 340 mijë numra të rinj, që do të jenë gati brenda qershorit 2009”. Ndërkohë, sipas tij, janë duke punuar për përgatitjen e studimeve dhe projekteve të ngjashme për të gjitha qytetet kryesore të vendit. “Qëllimi ynë nuk është vetëm ofrimi i një shërbimi të thjeshtë telefonik, por këtë shërbim do ta ofrojmë me cilësi sa më të lartë dhe me çmime të ulëta”, ka theksuar ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›