Rupert Everet pas gjurmëve të Bajronit në Shqipëri
Aktori i famshëm anglez Rupert Everet, i njohur për rolet e tij në filmat e Hollivudit përkrah Xhulia Roberts, Antonio Banderas, Edi Mërfit, Madonës, etj., këto ditë do të qëndrojë në Shqipëri me një projekt të veçantë. Ai me mbështetjen e televizionit të njohur britanik Channel Four News po ndjek gjurmët e poetit të madh Lord Bajronit, në vendin tonë. Ky projekt i ideuar si një tentativë për të kuptuar arsyet e largimit të poetit të madh nga vendlindja dhe tërheqjes së tij nga Orienti, do të sjellë risi dhe fakte të panjohura në prag të 200-vjetorit të ardhjes së Bajronit në vendin tonë. Për këtë arsye Rupert Everet dhe ekipi i tij do të filmojnë jo vetëm vendet e njohura të shkeluara nga poeti, por edhe viset e Shqipërisë së Jugut. Në dokumentarin që pritet të realizohet për jetën e Lordit Bajronit në Orient, Shqipëria do të zërë një vend të rëndësishëm e në veçanti, marrëdhënia e Bajronit me Ali Pashë Tepelenën.
2 Tetor 2008